Dogana njofton zgjidhjen e problemit për akcizën e verës nga Italia
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar sot se ka zgjidhur problematikën me Italinë, lidhur me importin e verës nga kantinat e vogla. Kantinat që importojnë deri në 10 mijë hektolitra përfitojnë diferencim akcize.
Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave Italiane ka informuar homologen e saj Shqiptare se, në lidhje me propozimin për zgjidhjen e situatës aktuale të bllokimit që po prek importet e verës nga Italia në Shqipëri, dhe në përputhje me legjislacionin italian në fuqi, konkretisht nenin 48 të Dekretit Legjislativ nr. 82/2005 (“Kodi i Administratës Digjitale”), Posta Elektronike e Certifikuar (PEC) ka vlerë juridike për identifikimin e dërguesit dhe marrësit të dokumentit.
Kjo postë elektronike përfaqëson ekuivalentin e një letre të regjistruar me kthim përgjigjeje. Ajo dërgohet nga Ministria e Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pyjeve (MASAF) drejt kantinave të verës që kanë interes për përfitimin e reduktimit të akcizës, bazuar në legjislacionin shqiptar në fuqi.
Nga pikëpamja juridike, Posta Elektronike e Certifikuar (PEC) funksionon si një letër e regjistruar me kthim përgjigjeje, duke garantuar vlerë ligjore si për dërgimin, ashtu edhe për marrjen e dokumentit. Sistemi certifikon datën dhe orën e dërgimit e të dorëzimit, si dhe integritetin e mesazhit, përmes një “zarfi transporti” virtual të firmosur elektronikisht. Kjo e bën komunikimin të pakundërshtueshëm ndaj palëve të treta.
Pala italiane sqaron se, nga pikëpamja tekniko-vepruese, për arsyet e mësipërme, mesazhet PEC nuk mund të jenë objekt i një nënshkrimi digjital shtesë.
Dogana Shqiptare ka ftuar sot të gjithë importuesit të vijojnë importet sipas njoftimit të mësipërm.
