“`html
Zgjedhjet në Kosovë: LVV rikonfirmon Kurtin si kandidat për kryeministër, LDK-ja sfidon me Abdixhikun dhe zyrtarizon aleancën me Vjosa Osmanin për presidente
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), mbledhur të shtunën, ka nominuar sërish Albin Kurtin si kandidat për kryeministër. Kryeministri në detyrë synon një mandat të ri pas fitoreve të LVV-së në dy palë zgjedhje të vitit 2025, atë të shkurtit dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit. Në këto të fundit, partia e tij mori mbi 51% të votave, ndërsa Kurti u shfaq si më i votuari.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti theksoi rritjen e vazhdueshme të mbështetjes për Vetëvendosjen dhe synimin për të arritur 60% të votave në zgjedhjet e ardhshme. Ai u shpreh se:
- “Prej shkurtit deri në dhjetor vitin e kaluar u rritëm për 9%, nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor mund të prekim 60%. Nëse punojmë veçse ne dimë, me sinqeritet dhe përkushtim edhe kjo padyshim është e mundur.”
Kurti akuzoi opozitën për bllokimin e proceseve institucionale, duke pretenduar se veprimet e tyre synojnë pengimin e shtetit, jo mposhtjen e popullit. Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk ishin të domosdoshme për popullin, por mund të jenë të tilla për arsye politike.
- “Sa herë po na bllokojnë ne po rritemi. Ata po marrin përgjigje më të fortë nga populli. Nuk kishim nevojë për këto zgjedhje. Mbase dikush, ndonjë strateg që drejton nga hija veprimet opozitare, po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme. Ndoshta janë për dikë, por jo për popullin e shtetin. Kjo po ndodh sepse kemi një opozitë e cila ka kuptuar se nuk mund ta mund popullin, por ka zgjedhur ta bllokojë shtetin. Vullneti i popullit nuk është nën kushtetues, është forcë e historisë që na shpie përpara.”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tre koalicione janë regjistruar për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi individual ose në koalicion.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zyrtarizuar marrëveshjen për garim të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit me ish-presidenten Vjosa Osmani. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se Osmani do të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidate për presidente, ndërsa ai vetë do të garojë për kryeministër. Abdixhiku shtoi se vendimi u mor unanimisht dhe se lista zgjedhore e partisë do të përfshijë edhe 19 emra të propozuar nga Osmani.
Vjosa Osmani, një figurë e votuar e LDK-së në të kaluarën, ka mbajtur poste të rëndësishme institucionale, përfshirë atë të presidente dhe deputeteje. Raportet e saj me LDK-në u përkeqësuan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I. Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, duke u zgjedhur më pas presidente e Kosovës. Mosmbështetja nga LVV-ja për një mandat të dytë çoi në prishjen e raporteve mes tyre.
Analisti Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” e ka cilësuar afrimin Osmani-LDK si “risinë kryesore” të këtyre zgjedhjeve, duke vlerësuar se efekti elektoral i saj mund të forcojë dukshëm listën e LDK-së.
Partitë politike kanë intensifikuar negociatat për finalizimin e ofertave zgjedhore, teksa afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit po afron.
LVV-ja ka konfirmuar vazhdimin e koalicionit me Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë oferta për zgjerimin e listës së saj zgjedhore nga Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe Aleanca Kosova e Re (AKR), të cilat kanë shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në listën e PDK-së.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjidhte presidentin e ri brenda afateve kushtetuese. Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare në Kosovë brenda 18 muajve.
Subjekte politike të regjistruara për pjesëmarrje në zgjedhje:
- Partia Socialdemokrate
- Kosovaki Nevi Romani Partia
- Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve
- Za Slobodu Pravdu i Opstanak
- Srpska Lista
- Yenilikçi Türk Hareket Partisi
- Lidhja Demokratike e Kosovës
- Fjala
- Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës
- Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK
- Socialdemokratska Unija
- Jedinstvena Goranska Partija
- Kosova Demokratik Türk Partisi
- Nova Demokratska Stranka
- Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës
- Kosovski Savez
- Partia Balliste
- Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale
- Partia Liberale Egjiptiane
- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
- Stranka Demokratske Akcije
- Partia Demokratike e Kosovës
Koalicionet e regjistruara:
- Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT)
- Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar)
- Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!)
“`
