Ishte dita vendimtare për të ardhmen e Muçit, nga Turqia vijnë lajme të papritura për sulmuesin
Ernest Muçi ka shkëlqyer këtë sezon me fanellën e Trabzonsporit dhe është e qartë për të gjithë se ai është përshtatur shumë mirë, duke u kthyer në një nga elementët kyç të këtij klubi. Megjithatë, nuk është vendosur ende përfundimisht nëse futbollisti do të bëhet pjesë e kësaj skuadre, pasi kartoni i tij zotërohet nga Beşiktaşi, që kërkon 8.5 milionë euro për transferimin.
Pikërisht pas ndeshjes ndaj Beşiktaşit, ku Muçi shënoi edhe gol, ishte parashikuar të zhvillohej një takim mes presidentëve të dy skuadrave për të vendosur rreth fatit të futbollistit të Kombëtares shqiptare. Në teori, gjithçka duhej zgjidhur brenda datës 10 maj, me Trabzonsporin që duhej të paguante këstin e parë nëse donte të siguronte firmën e futbollistit.
Por pas ndeshjes së së shtunës, mediat turke kanë bërë të ditur se afati përfundimtar për të vendosur të ardhmen e Muçit ishte data 20 maj dhe jo ajo 10, siç ishte bërë e ditur fillimisht. Kështu, klubet kanë edhe disa ditë kohë për të vijuar negociatat rreth shifrës që duhet paguar për Muçin dhe mënyrës së pagesës së saj.
