Sektori bankar Shqiptar: Rritje modeste, luhatje mes bankave

Sektori bankar ngadalësoi ritmin në tremujorin e parë; rënie për BKT dhe ABI, rritje për Credins

Sektori bankar ka shënuar një rritje modeste gjatë tremujorit të parë të vitit. Sipas të dhënave paraprake nga Shoqata Shqiptare e Bankave, të përpunuara sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), totali i aktiveve të sektorit arriti në 2.297 trilionë lekë, duke regjistruar një rritje të lehtë prej vetëm dy miliardë lekësh krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Megjithatë, në bazë vjetore, rritja mbetet më e konsiderueshme. Asetet e sektorit janë zgjeruar me 8% krahasuar me fundin e marsit të vitit të kaluar.

Duke analizuar grupet kryesore të aktiveve financiare, gjatë tremujorit të parë të vitit është vërejtur një ulje e ndjeshme e investimeve në tituj financiarë, kryesisht tituj të borxhit. Investimet në tituj kanë zbritur në vlerën e më pak se 910 miliardë lekëve, duke shënuar një rënie prej rreth 31 miliardë lekësh që nga fundi i vitit të kaluar. Mund të supozohet se konflikti në Lindjen e Mesme dhe pritshmëritë për norma më të larta interesi i kanë shtyrë bankat të zvogëlojnë portofolin e tyre të investimeve në tituj, sidomos në valutë të huaj, për të shmangur një zhvlerësim të tyre gjatë muajve në vazhdim.

Ndërkohë, bankat kanë vazhduar të rrisin me ritme të larta kredidhënien. Portofoli i huasë ka arritur vlerën 946 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje të mëtejshme prej rreth 20 miliardë lekësh që nga fillimi i vitit.

Veç zhvendosjeve mes zërave të ndryshëm të aktiveve, bien në sy luhatjet e konsiderueshme në pjesën e tregut të disa prej bankave:

  • Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), ka pësuar rënie të ndjeshme duke zënë 23.6% të tregut, nga 24.1% që mbante në fund të vitit të kaluar.
  • Banka Amerikane e Investimeve (ABI) ka pësuar një rënie mjaft të fortë për një tremujor të vetëm, duke zbritur në 6.6%, nga 7% që mbante deri në fund të vitit të kaluar.
  • Pjesa e tregut e humbur nga BKT dhe ABI është marrë, në pjesën më të madhe, nga Credins Bank. Banka e dytë më e madhe në vend e ka rritur pjesën e saj të tregut në 17%, nga 16.5% që mbante në fund të vitit të kaluar.
  • Në rritje rezulton edhe Raiffeisen Bank Albania, që ka arritur në 14.4% të aseteve totale të tregut, nga 14.2% që mbante në fund të vitit të kaluar.
  • Rënie të mëtejshme në pjesën e saj të tregut ka pësuar edhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, duke zbritur në 9.3% të aseteve të tregut, nga 9.5% që mbante në fund të vitit të kaluar.
  • Ndërkohë, në rritje është Bank OTP Albania, që ka arritur në 8.8% të tregut, nga 8.7% që mbante një tremujor më parë.
  • Edhe Tirana Bank ka vazhduar zgjerimin këtë tremujor, duke arritur në 8.2% të tregut, nga 8.1% që mbante në fund të vitit të kaluar.
  • Rritje të lehtë ka shënuar edhe ProCredit Bank Albania, duke arritur në 2.5% të tregut, nga 2.4% që mbante.

Bankat e tjera kanë ruajtur një pjesë tregu të qëndrueshme në raport me fundin e vitit të kaluar, përkatësisht:

  • Union Bank (e cila ka raportuar me standardet lokale, jo me IFRS si bankat e tjera), me 5.3%.
  • Banka e Parë e Investimeve Shqipëri (Fibank), me 3.3%.
  • Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 1.1%.
Scroll to Top