**Titulli:** Tragedi familjare në Itali: Babai plagos djalin dhe bashkëshorten, tenton vetëvrasjen dhe sulmon infermieren
Një ngjarje e rëndë është shënuar në Itali, ku një djalë 12-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë me thikë brenda banesës së tij. Sipas informacioneve paraprake, i mituri është goditur dy herë në zonën e kraharorit, me plagë që kanë prekur edhe mushkërinë e majtë.
Hetimet fillestare sugjerojnë se babai i tij ka qenë autori i plagosjes, ndërsa ngjarja ka ndodhur gjatë një konflikti familjar. Pas aktit, burri dyshohet se ka tentuar të vetëvritet duke u goditur me thikë në zonën e qafës dhe fytyrës.
Edhe nëna e 12-vjeçarit ka pësuar një dëmtim në dorë. Ajo nuk është shtruar në spital, por ka marrë ndihmën e parë në vendngjarje para se të paraqitej më pas në spital, aty ku ndodhet edhe djali i saj, i cili po lufton për jetën në repartin e terapisë intensive.
Gjithashtu, raportohet se babai ka sulmuar një infermiere të shërbimit të urgjencës 118, e cila kishte mbërritur në vend për të ndihmuar të plagosurit. Sulmi ndaj infermieres ka qenë sipërfaqësor, pasi ai vetë ishte plagosur.
Të dy, si i mituri ashtu edhe babai, janë shtruar në spitalin “Vecchio Pellegrini” dhe ndodhen nën kujdes mjekësor me prognozë të rezervuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e karabinierëve, të cilët kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Sipas informacioneve të para, familja nuk kishte pasur histori të dhunës në familje.
Hetimet vijojnë, ndërsa ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, sipas njoftimeve të fqinjëve të zonës.
