Banka Shqiptare e Zhvillimit shpall tender për shërbime konsulence prej 3.3 milionë eurosh, nga kuadri strategjik te modeli i biznesit.
Një procedurë prokurimi me fond limit prej rreth 3.3 milionë eurosh (315 milionë lekë) është shpallur nga Banka Shqiptare e Zhvillimit (ADB) për kontraktimin e një kompanie konsulence. Kjo kompani do të ofrojë mbështetje për ngritjen e kuadrit strategjik dhe operacional të bankës.
Sipas dokumenteve të tenderit, kontrata do të financohet nga vetë Banka Shqiptare e Zhvillimit, ndërsa afati i fundit për paraqitjen e ofertave është 24 qershor 2026.
Dokumentet, veçanërisht termat e referencës, theksojnë se kompania fituese do të ketë një rol të gjerë në ndërtimin e strukturës strategjike, organizative dhe operacionale të bankës. Shërbimet e kërkuara përfshijnë:
- Hartimin e kuadrit strategjik të institucionit.
- Planifikimin industrial dhe financiar shumëvjeçar.
- Krijimin e modelit të biznesit dhe modelit financiar.
- Përgatitjen e materialeve për qeverisjen dhe koordinimin institucional.
Kontrata parashikon gjithashtu mbështetje për menaxhimin dhe zbatimin e projektit përmes strukturës PMO, koordinimin ndërmjet shtyllave të projektit, menaxhimin e ndryshimit dhe mbështetjen operacionale gjatë gjithë periudhës së implementimit.
Operatorit ekonomik i kërkohet të ofrojë konsulencë në fusha të tilla si qeverisja korporative, menaxhimi i riskut, financimi, produktet bankare, teknologjia e informacionit, burimet njerëzore dhe operacionet. Metodologjia e kërkuar nga autoriteti kontraktor përfshin vlerësimin e projekt-planit (“blueprint”), analizën krahasuese (benchmark), hartimin e planit industrial dhe të biznesit, mbështetje për çështje ligjore dhe të qeverisjes, si dhe koordinimin me aktorët e lidhur me procesin.
Kontrata nuk do të ndahet në lote, pasi shërbimet konsiderohen si një sistem i vetëm funksional dhe i ndërlidhur. Autoriteti kontraktor argumenton se fragmentimi i kontratës mund të sillte mospërputhje metodologjike, probleme koordinimi dhe vonesa në implementim.
Kohëzgjatja totale e kontratës do të jetë deri në 16 muaj nga nënshkrimi, ndërsa faza e parë e projektit duhet të përfundojë brenda katër muajve të parë.
Banka Shqiptare e Zhvillimit u krijua pas miratimit të ligjit “Për bankën shqiptare të zhvillimit” nga Kuvendi i Shqipërisë vitin e kaluar. Institucioni u regjistrua zyrtarisht në dhjetor 2025 dhe pritet të nisë aktivitetin këtë vit. Aktualisht, qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Financave, është aksionar i vetëm. Silvio Pedrazzi, ish-drejtor i përgjithshëm i Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri, është emëruar administrator. Në fund të muajit mars, qeveria shqiptare realizoi derdhjen e këstit të parë të kapitalit aksionar, në shumën e 1 miliard lekëve.
