Trump: Uraniumi i pasuruar i Iranit duhet t’i dorëzohet SHBA-së ose të shkatërrohet
Donald Trump ka deklaruar se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit duhet ose të dorëzohen në Shtetet e Bashkuara, ose të shkatërrohen nën mbikëqyrje ndërkombëtare, teksa negociatat për një marrëveshje të re me Teheranin vazhdojnë.
Në një postim në platformën Truth Social, ish-presidenti amerikan tha se uraniumi i pasuruar i Iranit duhet ose të transferohet në Shtetet e Bashkuara për shkatërrim, ose të shkatërrohet në një vend tjetër, në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Sipas raporteve amerikane, zyrtarët amerikanë kanë argumentuar se e gjithë rezerva e uraniumit të pasuruar të Iranit duhet të hiqet si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme. Teherani, nga ana e tij, këmbëngul se nuk do të diskutojë programin e tij bërthamor përpara se të zbatohet një armëpushim i mundshëm 60-ditor, i cili po negociohet si pjesë e marrëveshjes.
Kontaktet mes dy palëve po vazhdojnë, por deri më tani nuk ka shenja të një marrëveshjeje përfundimtare.
Në postimin e tij, Trump shkroi: “Uraniumi i pasuruar (“Pluhuri Bërthamor!”) ose do të dorëzohet menjëherë në Shtetet e Bashkuara për transferim dhe shkatërrim, ose, mundësisht, në bashkëpunim dhe koordinim me Republikën Islamike të Iranit, do të shkatërrohet në vend ose në një vend tjetër të pranueshëm, me Komisionin e Energjisë Atomike ose ekuivalentin e tij që mbikëqyr procesin.”
Ai nuk sqaroi nëse po i referohej ekskluzivisht rreth 440 kilogramëve uranium të pasuruar shumë që zotëron Irani, apo të gjithë rezervave të uraniumit të pasuruar të vendit.
