Kompensim Tatimesh: Përfitoni edhe pa fëmijë

Tatimet fillojnë kompensimet nga DIVA edhe për individët pa zbritje shpenzimesh për fëmijët

Në muajin mars, pas plotësimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave Vjetore (DIVA 2025), një punonjëse në media, Ema, rezultoi me tatim të mbipaguar në vlerë 3,172 lekë.

Gjatë plotësimit të DIVA 2025, përveç individëve me fëmijë në ngarkim, të cilëve iu zbritën nga totali i të ardhurave vjetore shpenzimet në shumën e 48 mijë lekëve ose për arsimin 120 mijë lekëve, me tatim të mbipaguar rezultuan edhe individë që nuk përfituan zbritje shpenzimesh nga fëmijët.

Kjo kategori me tatim të mbipaguar rezultoi pasi në DIVA iu rillogarit tatimi për të ardhurat vjetore. Shuma e tatimit të paguar çdo muaj rezultoi më e lartë pas rillogaritjes së tatimit vjetor. Në rast se diferenca ishte me vlerë pozitive, edhe kjo kategori kishte të drejtë që tepricën në DIVA ta kërkonte për kompensim.

Pas aplikimit të kërkesës për kompensim në sistemin e-Filing për tatim të mbipaguar nga plotësimi i DIVA, Ema konfirmoi për Monitor se ka përfituar shumën prej 3,172 lekë në llogarinë e saj bankare.

Administrata Tatimore ka nisur shpërndarjen e kompensimit nga DIVA edhe për këtë kategori, individët që nuk kanë fëmijë në ngarkim por kanë rezultuar me tatim të mbipaguar.

Për aplikimet e kësaj kategorie, krahas kërkesës për kompensim në llogarinë bankare, si dokumentacion duhet të ngarkohet në e-Filing vetëm numri i llogarisë bankare IBAN, në formatin PDF.

E drejta për aplikim me qëllim përfitimin e kompensimit nuk humbet për 5 vite për asnjë kategori. Afati i shqyrtimit të kërkesës për kompensim nga Administrata Tatimore është deri në 2 muaj.

“Nuk ka një afat të posaçëm ligjor për paraqitjen e kërkesës për rimbursim. E drejta e individëve për kompensim apo rimbursim nuk humbet për 5 vite. Nëse nuk kërkohet këtë vit, shuma mbetet si tepricë për individët deri në 5 vite. Por nëse do të kërkohet të përfitohet në llogari bankare do të duhet të plotësohet kërkesa dhe të dorëzohet dokumentacioni justifikues. Në të kundërt është një tepricë që mbetet e vlefshme në llogarinë e individëve”, sqaroi më herët për Monitor, Rozana Çelmeta, drejtore e procesit të biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Afati për plotësimin e DIVA 2025 përfundoi më 31 Mars 2026. Në total për vitin 2025 janë plotësuar gjithsej 164,263 deklarata individuale të të ardhurave, një rritje prej 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave, rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim nga sistemi DIVA për fëmijët nën moshën 18 vjeç. Sistemi ka gjeneruar një fond total prej 1.4 miliardë lekësh për rimbursim për individët me tepricë kreditore. Deri tani janë kërkuar vetëm 670 milionë lekë nga individët për t’u kaluar në llogaritë e tyre bankare.

Si do të bëhet aplikimi për të gjitha kategoritë

Kategoritë përfituese, krahas plotësimit të saktë të të dhënave bankare në rubrikën “Detajet e bankës” në e-Filing dhe formularit të kërkesës me tekstin “Unë i nënshkruara XY me numër identifikimi I….. kërkoj të më rimbursohet nëpërmjet llogarisë bankare, shuma e tatimit të mbipaguar me vlerë X lekë pas plotësimit nga DIVA 2025.”, duhet të kryejnë veprimet vijuese:

  • Aplikanti, në rast se ka fëmijë në ngarkim dhe përfiton kompensim pas njohjes së shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë për çdo fëmijë, duhet të ngarkojë si dokumentacion certifikatën familjare dhe numrin IBAN të llogarisë bankare në formatin PDF (qoftë të nxjerrë nga aplikacioni ose të marrë pranë bankës).
  • Individëve që ju zbritën shpenzimet arsimore për fëmijë në shumën maksimale prej 120 mijë lekë, përveç certifikatës familjare, numrin IBAN të llogarisë bankare, duhet të ngarkojnë në sistem edhe faturat e fiskalizuara të shpenzimeve arsimore, me qëllim justifikimin e tyre.
  • Kategoria e individëve pa fëmijë por që rezultojnë me tatim të mbipaguar, po ashtu kanë të drejtë të kërkojnë kompensim në llogarinë bankare. Krahas plotësimit të kërkesës me tekst, duhet të ngarkojnë në sistem edhe dokumentacionin e IBAN.

Ndiqni videon tutorial të realizuar nga Monitor që shpjegon hap pas hapi procedurën për aplikim për kompensim.

Me qëllim sigurimin e vendosjes së të dhënave të sakta dhe shmangien e vonesave në procesin e rimbursimit, Administrata Tatimore ka publikuar udhëzuesin për deklarimin e të dhënave të sakta të llogarisë bankare.

Udhëzimi për deklarimin e llogarisë bankare është si më poshtë:

Sipas Tatimeve, plotësimi i llogarisë bankare është i domosdoshëm për vijimin e procedurës së rimbursimit nga Administrata Tatimore.

Scroll to Top