Sulmet në Gaza: Izraeli njofton vrasjen e një udhëheqësi të Hamasit
Ushtria izraelite kreu një sulm ajror në një ndërtesë në qytetin e Gazës, të martën në mbrëmje, me synim vrasjen e një figure kyçe të krahut ushtarak të Hamasit në enklavën palestineze. Sipas rrjetit televiziv izraelit Keshet 12, një zyrtar i sigurisë deklaroi se besohet se Mohammed Oda ka humbur jetën nga ky sulm.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, konfirmoi përmes një postimi në platformën X se objektiv i operacionit ishte Oda. “Ne sulmuam Mohammed Oda-n në Gaza – udhëheqësin e krahut ushtarak të Hamasit dhe një nga arkitektët e masakrës së 7 tetorit 2023. Do t’i arrijmë të gjithë,” shkroi Netanyahu.
Mohammed Oda kishte marrë drejtimin e Brigadave Al-Qassam pas vrasjes së Izz ad-Din al-Haddadin, i cili u vra në një sulm ajror izraelit më 15 maj.
Ndërkohë, Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Gaza raportoi se tre persona u vranë nga bombardimi izraelit në lagjen Rimal të qytetit të Gazës, përfshirë një grua.
Këto sulme vijnë në një periudhë të tensioneve të larta në rajon dhe vijojnë ofensivën e vazhdueshme izraelite kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
