PD propozon ndryshime statutore: më shumë diaspora e gra

PD propozon ndryshime në statut, por nuk prek nenin “Basha” dhe Primaret, Berisha: Partia do të hapet për anëtarësime të reja

Partia Demokratike ka mbledhur sot Kryesinë për të diskutuar një sërë ndryshimesh statutore, të cilat janë hartuar pak ditë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar të datës 30 maj. Ndryshimet e propozuara përfshijnë:

  • Fuqizimi i diasporës shqiptare dhe përfaqësimi i saj real politik, duke synuar 15% përfaqësim në lista dhe organe të partisë.
  • Rritja e përfaqësimit të grave dhe vajzave në parti nga 30% në 40%.
  • Krijimi i një Komisioni të Seleksionimit të Kandidaturave për deputetë dhe kryetarë bashkie, i cili do të jetë autonom nga organet drejtuese të partisë, duke u realizuar para procesit të primareve.
  • Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.
  • Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendorë (këshilltarëve bashkiak).
  • Njohja e një statusi të barabartë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH-së.
  • Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.
  • Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, për t’u dhënë atyre më shumë garanci për qëndrimin në detyrë.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se Partia Demokratike do të organizohet si “partia e seksionit”, duke vendosur në qendër bazën dhe strukturat lokale të saj. Ai theksoi se ripërtëritja e PD-së nënkupton hapjen ndaj anëtarësimeve të reja dhe eliminimin e çdo pengese që ka frenuar afrimin e demokratëve në parti. Berisha shtoi se mijëra mbështetës janë të gatshëm të angazhohen, por nuk u është krijuar mundësia për pjesëmarrje aktive.

Kreu demokrat kritikoi gjithashtu “inercinë” dhe “apatinë” në opozitë, duke i cilësuar si pengesa kryesore për ringritjen e partisë. Sipas tij, PD ka nevojë për më shumë efikasitet dhe për shfrytëzimin maksimal të potencialeve njerëzore dhe teknologjike, përfshirë dixhitalizimin dhe inteligjencën artificiale.

Berisha shtoi se programi i PD-së po konsultohet me “think-tank”-et më të mira në Europë dhe SHBA, duke e cilësuar atë si vizionin më të mirë politik aktual.

Pjesë nga fjala e Berishës:

PD do jetë partia e seksionit! Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja. Të lëmë mënjanë inercinë dhe apatinë dhe të shfrytëzojmë me efikasitet potencialet tona. PD, në rrafshin organizativ, do jetë partia e seksionit. Ne jemi parti e territorit, pra jemi parti e seksionit. Dhe, përparësi absolute në piramidën e saj merr themeli, i cili është seksioni.

Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja. Nënkupton zhdukjen e çdo barriere që pengon anëtarësimet e reja. Nënkupton hapjen e dyerve në nivel seksioni dhe në të gjitha nivelet për prurje të reja, angazhime të reja. Ju garantoj se janë me mijëra e mijëra demokratë e demokrate të gatshëm të anëtarësohen dhe të marrin përgjegjësi, por që nuk u ofrohet kjo mundësi. Nuk u ofrohet ky mjedis. Nuk u ofrohet sepse, e kam theksuar dhe e theksoj, sëmundja e opozitarizmit është inercia, është apatia. Dhe kjo sëmundje bën që të tregohemi indiferentë ndaj këtij procesi që është jetik për PD-në.

PD sot më shumë se kurrë ka nevojë për efikasitet. Eficencën e çdonjërit prej drejtuesve, prej anëtarëve të saj. Ka nevojë për treguesit e matjes së kësaj efikasiteti në mënyrë që potencialet e saj të shfrytëzohen në shkallë maksimale. PD ka jetik shfrytëzimin e çdo potenciali që ofron dixhitalizimi dhe inteligjenca artificiale në mënyrë që ne të mund të shumëfishojmë fuqinë tonë, aftësitë tona. Programi i saj apo vizioni i saj është absolutisht më i miri që ekziston. Por ne kemi fatin e madh dhe privilegjin e veçantë që programin e kësaj partie ta konsultojmë, ta shqyrtojmë dhe rishqyrtojmë me “think-tank”-et më të mira që ekzistojnë sot në Europë dhe në SHBA.

Scroll to Top