Dështimi i Maran: Lista e Kombëtares ngre pikëpyetje

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet miqësore të qershorit kundër Izraelit dhe Luksemburgut, duke sjellë disa risi në përbërjen e ekipit.

Ky grumbullim ka ngritur menjëherë pikëpyetje, pasi duket se po vazhdohet e njëjta filozofi e trajnerit të mëparshëm, Silvinjo, ku jo domosdoshmërisht lojtarët që luajnë rregullisht ose janë në formën më të mirë, marrin preferencën e trajnerit.

Situata fillon që nga pozicioni i portierit, ku janë ftuar Sherri, Simoni dhe Qirko. Është e papritur mungesa e Klidman Lilos, i cili ka pasur një sezon të suksesshëm në futbollin grek me OFI të Kretës dhe konsiderohej si një mundësi e mirë për të parë në fushë këtë 23-vjeçar.

Në mbrojtje, bie në sy grumbullimi i Andi Hadrojt, i cili ka luajtur me ekipin e rezervave të Polisia në kategorinë e tretë ukrainase. Ndërkohë, mungojnë lojtarë si Balliu apo Enea Mihaj, i cili po aktivizohet rregullisht në SHBA. Përsa i përket Mihajt, distanca gjeografike nuk mund të jetë justifikim, pasi në listë është përfshirë një tjetër futbollist nga MLS, Uzuni.

Në mesfushë, përfshirja e Bajramit, i cili nuk ka luajtur prej kohësh, është një surprizë e madhe. Lojtari është jashtë planeve të klubit të tij prej muajsh dhe në këtë rast duhet të ishte trajtuar njëlloj si Asani. Arbnor Muja, i cili luan rregullisht me klubin e tij, do të ishte një opsion i mundshëm dhe në formë sportive më të mirë se sa lojtari më i dobët aktualisht i Kombëtares, pavarësisht rekordit në EURO 2024.

Sa i përket sulmit, Maran ka zgjedhur vetëm një nga vëllezërit Shpendi, Kristian, duke lënë jashtë listës Stiven, i cili ishte “bomberi” i familjes këtë sezon në Serie B. Faktori që edhe Broja nuk luan prej kohësh, e bënte këtë momentin e duhur që Maran të tregonte besim te lojtarët e rinj, duke guxuar ndoshta me ndonjë nga talentet e shumta që po spikasin në Itali.

Lista e parë e Kombëtares së Maran, sipas vetë trajnerit, ka gjurmën e parapërgatitjes nga FSHF. Duke qenë se trajneri italian nuk ka pasur njohuri të thella për lojtarët shqiptarë në një kohë kaq të shkurtër, është ndikuar nga sugjerimet brenda institucionit, siç e ka pranuar edhe vetë. Ky fakt duhet të shqetësojë më shumë tifozët e Kombëtares.

Scroll to Top