Amerikan thyen rekordin në Everest: 9 orë 55 minuta në majë!

Amerikani thyen rekordin botëror! Ngjitet në Everest për 10 orë

Alpinisti amerikan Tyler Andrews ka vendosur një rekord të ri botëror për ngjitjen më të shpejtë në malin Everest, duke përdorur oksigjen shtesë. 36-vjeçari arriti të përshkojë distancën nga kampi bazë, në lartësinë 5,364 metra, deri në majën 8,848 metra, për vetëm 9 orë e 55 minuta. Ky rezultat thyen rekordin e mëparshëm të vendosur nga nepalezi Lhakpa Gelu në vitin 2003.

Lajmi u konfirmua nga David Steven, drejtues i kompanisë “Asia Trekking”, e cila organizoi ekspeditën. Sipas tij, Andrews arriti në “çatinë e botës” në më pak se 10 orë, një arritje e jashtëzakonshme në alpinizëm.

Edhe pse e realizoi ngjitjen i vetëm, amerikanit iu ofrua mbështetje nga dy guida Sherpa, të cilët i siguruan oksigjen, ujë dhe pajisjet e nevojshme gjatë rrugës.

Sezoni pranveror i ngjitjeve në Everest këtë vit ka shënuar shifra rekord. Sipas autoriteteve nepaleze, mbi 950 alpinistë kanë arritur majën që prej nisjes së sezonit më 13 maj, falë kushteve të favorshme atmosferike. Gjithashtu, janë thyer edhe rekorde të tjera, siç janë:

  • Numri më i madh i ngjitjeve në një ditë të vetme, me 275 persona që arritën majën më 21 maj.
  • Numri i lejeve të lëshuara për alpinistët e huaj, që ka arritur në 494.

Megjithatë, sezoni është shoqëruar edhe me tragjedi. Deri tani, pesë alpinistë – dy indianë dhe tre nepalezë – kanë humbur jetën në shpatet e Everestit.

Scroll to Top