Dronë rusë godasin tre anije tregtare në Detin e Zi, dy të plagosur gjatë evakuimit
Dronë të nisur nga Rusia kanë sulmuar tre anije tregtare që lundronin në korridorin e eksportit të Ukrainës në Detin e Zi, vonë të enjten në mbrëmje dhe gjatë natës. Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri ukrainas Oleksiy Kuleba.
Sipas tij, sulmet kanë shkaktuar zjarre në bord të anijeve, të cilat janë shuar më pas nga vetë ekuipazhet përpara se situata të vihej nën kontroll.
Autoriteti portual i Ukrainës njoftoi se anijet e goditura lundronin nën flamujt e Vanuatu, Komoreve dhe Panamasë.
Ndërkohë, Marina ukrainase bëri të ditur më herët se objektiv i sulmit ishte edhe anija “Ant”, një anije mallrash në pronësi turke me flamur të Vanuatu, e cila po udhëtonte drejt Turqisë nga një prej porteve të rajonit të Odesa.
Sipas njoftimeve, sulmi shkaktoi zjarr në bord dhe evakuimin e dy anëtarëve të ekuipazhit që mbetën të plagosur. Marina ukrainase shtoi se anija po transportonte ngarkesë në momentin e goditjes.
