Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kundërshton terapinë hormonale në QSUT për transgjinorët: Të miturit nuk duhet të ekspozohen ndaj proceseve me pasoja afatgjata për jetën e tyre
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili parashikon fillimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë në shërbimin publik shëndetësor në Shqipëri.
Nëpërmjet një reagimi publikuar në rrjetet sociale, Komuniteti Mysliman thekson se të miturit nuk duhet të përballen me procese që kanë pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, veçanërisht në fazën e formimit të personalitetit dhe identitetit.
Sipas Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, shoqëria nuk duhet të normalizojë praktika që mund të krijojnë paqartësi dhe tension social, duke ndikuar në raportet me natyrën njerëzore, familjen dhe edukimin e brezave të rinj.
Në fund të reagimit, Komuniteti Mysliman i bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetësisë, prindërve dhe të gjithë aktorëve shoqërorë që çështje të tilla të trajtohen me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare, duke shmangur nxitimin apo ndikimin e trendeve ideologjike të përkohëshme.
Qëndrimi publik i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë mbi udhëzimin për terapinë hormonale te të miturit
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po e ndjek me shqetësim të thellë debatin publik të shkaktuar pas publikimit të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë, sidomos pjesën ku përmendet mundësia e fillimit të terapisë nga mosha 16 vjeç, apo në raste të veçanta edhe nga 14 vjeç.
Duke qenë se më parë ka qenë kundër ligjit për barazinë gjinore, Komuniteti Mysliman mbetet koherent në qëndrimin kundër edhe ndaj degëve të tjera të tij, siç është ky rast.
Udhëzime të tilla përbëjnë një çështje jashtëzakonisht delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik të fëmijëve dhe adoleshentëve. Për këtë arsye, çdo hap institucional në këtë drejtim duhet të trajtohet me kujdes maksimal, përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të shoqërisë shqiptare.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh kundërshtimin e tij ndaj çdo qasjeje që hap rrugë për ndërhyrje hormonale në moshë të re. Ai beson se të miturit nuk duhet të përballen me procese me pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, sidomos kur personaliteti dhe identiteti janë ende në formim. Fëmijët kanë nevojë për mbrojtje, orientim, mbështetje familjare dhe kujdes profesional të përgjegjshëm.
Shoqëria nuk duhet të normalizojë praktika që krijojnë paqartësi dhe tension social në raport me natyrën njerëzore, familjen dhe edukimin e brezave të rinj.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetësisë, prindërve dhe të gjithë aktorëve shoqërorë që çështje të tilla të mos trajtohen me nxitim apo nën ndikimin e trendeve ideologjike të përkohëshme, por me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare.
Komuniteti Mysliman qëndron pranë shqetësimit të shumë prindërve dhe besimtarëve, të cilët kërkojnë ruajtjen e vlerave familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimin e ndjeshmërisë morale e kulturore të shoqërisë.
Reagimi i Ministrisë
Ndërkohë, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, sqaroi se udhëzuesi mbi trajtimin hormonal për transgjinorët është një dokument orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik.
Ky udhëzues është hartuar mbi bazën e praktikave dhe rekomandimeve ndërkombëtare, si dhe të vlerësimit të një ekipi multidisiplinar specialistësh.
“Çdo rast vlerësohet individualisht nga ky ekip multidisiplinar dhe nëse shfaq apo ka patologji të caktuara, përjashtohet nga ky udhëzim”, tha Tomini.
Sipas zv.ministres, dokumenti ka si qëllim orientimin e profesionistëve të shëndetësisë në procesin e rekomandimit të terapisë hormonale për individët që i drejtohen për këtë shërbim dhe nuk rekomandon fillimin e trajtimit në fëmijëri. Ajo theksoi se udhëzuesi i referohet vetëm personave adultë të këtij grupi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e pëlqimit individual të informuar.
Lidhur me çështjen e rimbursimit, Tomini sqaroi se udhëzuesi nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale. Dokumenti përfshin vetëm rekomandime të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapisë hormonale, bazuar në praktikat klinike ndërkombëtare.
