Droni rus në Rumani: Çfarë është modeli “Geran-2”, i zhvilluar mbi bazën e “Shahed-it” iranian?
Një ngjarje e rëndë ka alarmuar Rumaninë mëngjesin e së premtes, ku një dron ushtarak është rrëzuar dhe ka shpërthyer mbi një ndërtesë banimi në zonën e Galați-t, duke lënë të lënduar dy persona.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë ka konfirmuar zyrtarisht se mjeti fluturues i rrëzuar ishte një dron pa pilot i tipit “Geran-2”, me origjinë ruse. Sipas njoftimit zyrtar, ekipet e specializuara të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit të Inteligjencës rumun (SRI) kanë rrethuar zonën dhe po vazhdojnë këqyrjen e vendit të ngjarjes.
“Sipas informacioneve të para, duket se e gjithë ngarkesa e dronit tip ‘Geran-2’, me origjinë ruse, ka shpërthyer në momentin e goditjes”, bëri me dije Ministria.
Mjeti i përdorur në këtë incident është versioni rus i dronit të njohur iranian “Shahed-136”. Ky është një dron i ashtuquajtur “kamikaz”, i projektuar për përdorim një herësh, i cili mbart rreth 50 kilogramë lëndë eksplozive dhe përplaset qëllimisht mbi objektiv.
Karakteristikat teknike:
- Gjatësia: 3.5 metra
- Hapja e krahëve: 2.5 metra
- Pesha: Rreth 200 kilogramë
- Shpejtësia: Relativisht e ulët, 180–185 km/h
- Tipari dallues: Lëshon një zhurmë të fortë karakteristike.
Ky dron funksionon përmes navigimit satelitor dhe inercial, që do të thotë se nuk kërkon kontroll të vazhdueshëm nga një operator njerëzor pas lëshimit.
Një nga avantazhet kryesore të këtij droni për ushtrinë ruse është kostoja e tij tejet e ulët. Rusia e përdor masivisht këtë taktikë për të mbingarkuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, duke i detyruar ata të shpenzojnë raketa të shtrenjta mbrojtëse për të rrëzuar dronë të lirë. Këtë herë, një prej tyre ka përfunduar jashtë kontrollit duke goditur territorin rumun.
