Ushtria Izraelite pushton Kështjellën Beaufort në Liban dhe ngre flamurin izraelit; urdhërohen sërish evakuime
Trupat izraelite njoftuan pushtimin e një mali strategjik në Libanin jugor, ku ndodhet Kështjella Beaufort, një fortesë e ndërtuar nga kryqtarët në shekullin e 12. Ky veprim përbën inkursionin më të thellë të tyre në vend në më shumë se një çerek shekulli. Ata shprehën krenari për vendosjen e flamurit izraelit në këtë fortesë mesjetare.
Kapja e Beaufortit, pranë qytetit të Nabatiyeh, erdhi pas disa ditësh luftimesh intensive dhe sulmesh ajrore në fshatrat fqinje, ku trupat izraelite u përballën me anëtarë të Hezbollahut në zonën malore. Kapja e kështjellës konsiderohet si një fitore e rëndësishme për Izraelin që nga fillimi i luftës së fundit Izrael-Hezbollah, të cilat po zhvillohen ndërkohë që të dy vendet zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta në Uashington.
Sulmi izraelit ndodhi pavarësisht një armëpushimi nominal që ishte në fuqi që nga 17 prilli. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, përmes një postimi në rrjetin social X, njoftoi se trupat izraelite kishin ngritur flamurin izraelit mbi kështjellë.
“Dyzet e katër vjet pas Betejës heroike të Beaufortit, dhe në këtë ditë që përkujton ushtarët që ranë në Luftën e Parë të Libanit (1982), trupat tona janë rikthyer në majën e Beaufortit dhe kanë ngritur përsëri flamurin izraelit atje”, shkroi Katz në kanalin e tij në Telegram.
Trupat izraelite kishin pushtuar më parë kështjellën në vitin 1982 dhe e kishin mbajtur atë deri në tërheqjen e tyre nga Libani në vitin 2000. Ushtria izraelite deklaroi se disa ditë më parë nisi një operacion në Beaufort Ridge dhe luginën Suluki, në jug, me qëllim çmontimin e infrastrukturës së Hezbollahut dhe eliminimin e “kërcënimeve të drejtpërdrejta për civilët izraelitë”.
Gjithashtu të dielën, ushtria izraelite paralajmëroi civilët libanezë që jetojnë në jug të lumit Zahrani të evakuohen nga rajoni, duke njoftuar se do të intensifikonte operacionet kundër Hezbollahut.
