Sulm SHBA në Paqësor, 3 viktima në luftën kundër drogës

SHBA vijon luftën kundër trafikut të drogës: Sulm mbi motoskaf në Paqësor, tre persona humbin jetën

Forcat amerikane kanë zhvilluar një tjetër operacion ushtarak në Paqësorin lindor, duke goditur nga ajri një motoskaf të dyshuar për trafik droge. Sipas një njoftimi të United States Southern Command (SOUTHCOM), tre persona që ndodheshin në bord humbën jetën gjatë sulmit.

Në deklaratën zyrtare, SOUTHCOM sqaroi se anija ishte e përfshirë në operacione trafiku droge dhe personat e vrarë u identifikuan si “narko-terroristë”. Komanda publikoi gjithashtu pamje video, të cilat pretendon se tregojnë momentin kur mjeti lundrues goditet dhe përfshihet nga flakët.

Autoritetet amerikane bënë të ditur se operacioni u krye me urdhër të komandantit të SOUTHCOM, Francis L. Donovan. Sipas inteligjencës amerikane, motoskafi po lundronte në një korridor të njohur për trafikimin e narkotikëve në rajonin e Paqësorit lindor.

Ky është i dyti sulm i ngjashëm brenda pak ditësh. Një ditë më parë, forcat amerikane goditën një tjetër motoskaf në të njëjtën zonë, ku gjithashtu humbën jetën tre persona. Operacionet e këtij lloji janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit.

Të dhënat raportojnë se, që nga shtatori i vitit të kaluar, SHBA ka kryer dhjetëra sulme ndaj mjeteve detare të dyshuara për trafik droge në rajonin e Karaibeve dhe Paqësorit. Megjithatë, këto operacione kanë ngjallur debat dhe kritika, pasi deri më tani autoritetet amerikane nuk kanë bërë publike prova të detajuara që vërtetojnë se të gjitha anijet e goditura ishin të përfshira në aktivitete të paligjshme. Sipas raportimeve, numri i viktimave nga këto operacione ka kaluar 200 persona gjatë muajve të fundit.

Scroll to Top