“`html
Turizmi: Rikthehen turistët polakë, Italia dhe Franca kompensojnë “ikjen” e gjermanëve
Sektori i turizmit në vend po mbështetet gjithnjë e më shumë nga zgjerimi i pranisë së tregjeve evropiane, por edhe më gjerë, duke ulur kështu peshën e tregjeve tradicionale të rajonit.
Të dhënat zyrtare të hyrjeve në kufi për muajin prill tregojnë se vendi priti rreth 891 mijë shtetas të huaj, një rritje prej 8.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ajo që bie në sy është dinamika në ndryshim e vendeve të origjinës së vizitorëve.
Kosova vazhdon të mbetet tregu më i madh i turizmit në vend, por në të njëjtën kohë vihet re rritje e shpejtë edhe nga vende të tjera, si Italia, Polonia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, në muajin e katërt të vitit, prezenca e tregut gjerman ka qenë më e dobët se në prillin e një viti më parë.
Referuar shifrave:
- Kosova mbetet tregu kryesor, me 265.9 mijë hyrje gjatë muajit prill, ose 10.1% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kosova vijon të mbajë peshën më të lartë të turizmit në vend, me rreth 30% të hyrjeve.
- Italia ishte një nga kontribuuesit më të mëdhenj. Numri i shtetasve italianë që hynë në Shqipëri në prill arriti në rreth 116 mijë, me një rritje prej gati 20% në raport me prillin e vitit 2025. Prezenca e italianëve është shtuar nga viti në vit dhe ka qenë e shpërndarë përgjatë gjithë vitit. Italia është shteti i dytë që sjell më shumë turistë, me 13% të hyrjeve totale në prill.
- Polonia, e cila ka shfaqur luhatshmëri të vazhdueshme (bëhet fjalë për vizitat individuale pasi kontratat me garanci kanë qenë në rritje), është rikthyer në rritje në muajin prill. Ky treg ka rritjen më të shpejtë mes vendeve kryesore të Evropës Qendrore, me hyrjet që u rritën me 81%, duke kaluar 21 mijë vizitorë.
- Franca, e cila pati një rritje të interesit qysh vitin e shkuar, duke nënshkruar edhe kontrata me garanci, po vijon të mbajë këtë tendencë. Numri i turistëve francezë arriti në 28.9 mijë, ose 22.8% më shumë se një vit më parë.
- Gjermania regjistroi tkurrjen më të madhe mes vendeve kryesore gjatë prillit. Hyrjet e shtetasve gjermanë ranë me 25.8%, duke zbritur në rreth 26.8 mijë vizitorë.
- Rënie shënuan edhe Turqia, me 19.3%, si dhe Maqedonia e Veriut, me 8.4%.
- Tregu amerikan ka vijuar të mbetet me ecuri pozitive. Shqipëria priti mbi 17 mijë vizitorë nga Shtetet e Bashkuara gjatë muajit prill, me një rritje prej 28.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht kësaj, pesha e këtij tregu ende mbetet e vogël në totalin e turistëve në vend.
Në sy bien edhe hyrjet nga disa vende të tjera, ku më shumë rëndësi ka tendenca sesa pesha. Kështu, hyrjet nga Spanja u rritën me mbi 50%, ndërsa Danimarka, Lituania dhe India shënuan ritme rritjeje shumë më të larta se mesatarja.
Konflikti në Lindjen e Mesme duket se ka dhënë ndikimin e tij edhe në hyrjet nga Izraeli, ku në muajin prill ato u tkurrën me 85% në krahasim me prillin e vitit të kaluar.
Shqipëria po preferohet për udhëtime të shkurtra disa ditore që përfshijnë, përveç vizitave kulturore, jetës së natës dhe kulinarisë, edhe shërbimet e turizmit shëndetësor apo çështjet e biznesit. Kjo është ndikuar ndjeshëm edhe nga rritja e vazhdueshme e destinacioneve që ofrojnë linjat me kosto të ulët.
Edhe Ukraina, Hungaria, Suedia shënuan rritje dyshifrore të konsiderueshme, duke konfirmuar interesin në rritje për Shqipërinë si destinacion.
Turizmi në tërësi për këtë vit pritet që të ketë një ecuri pozitive, duke ndjekur ritmet e rritjes së një viti më parë.
“`
