Kredia e dhënë jashtë vendit arrin nivelin më të lartë që prej vitit 2018
Sektori bankar shqiptar ka intensifikuar dhënien e kredive jashtë vendit gjatë muajve të parë të vitit aktual. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit prill, vlera e kredive të dhëna për huamarrës jorezidentë në Shqipëri ka arritur në 76.85 miliardë lekë.
Që nga fillimi i vitit, ky portofol ka shënuar një rritje prej 9 miliardë lekësh, ose mbi 13%. Në krahasim vjetor, rritja arrin afërsisht 24%. Ky nivel i kredisë për jorezidentët është më i larti që nga shkurti i vitit 2018.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të prillit, huaja për jorezidentët përbën rreth 7.4% të totalit të portofolit të sektorit bankar, krahasuar me rreth 6.7% që zinte një vit më parë.
Nivelet më të larta historike të kredisë së sektorit bankar për jorezidentët ishin shënuar në mesin e vitit 2017. Një pjesë e konsiderueshme e kredisë jashtë vendit në atë periudhë lidhej me aktivitetin e degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë. Pas shkëputjes së kësaj dege nga banka mëmë në Shqipëri, në fillim të vitit 2019, kjo kredi pësoi një rënie të ndjeshme.
Edhe në kohën kur kredia jashtë vendit arriti kulmin, ajo ishte e përqendruar në pak banka të mëdha të sistemit. Aktualisht, e vetmja bankë shqiptare me veprimtari jashtë vendit është Credins Bank, e cila operon me tetë degë në Kosovë. Nga pikëpamja statistikore, portofoli i Credins Kosovë klasifikohet si kredi për jorezidentët, megjithëse banka ushtron aktivitet si një entitet bankar lokal në Kosovë. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2025, Credins Kosovë raportoi një portofol kredie prej 89 milionë eurosh.
Banka e Shqipërisë thekson se kredia për subjektet jorezidente është kryesisht kredi e dhënë për bizneset, e karakterizuar nga afate kryesisht afatgjata. Disa banka kanë eksploruar mundësi të reja huadhënieje në vendet e rajonit, duke pasur parasysh sasinë e lartë të fondeve në valutë të huaj. Pjesa më e madhe e depozitave të publikut në sektorin bankar janë në euro, por tregu i brendshëm ofron alternativa të kufizuara për investimin e këtyre fondeve jashtë aktivitetit të kredidhënies.
Në vitet e fundit, kreditimi është orientuar gjithnjë e më shumë drejt Lekut, proces i nxitur edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë për reduktimin e përdorimit të Euros dhe minimizimin e rrezikut të kursit të këmbimit. Në këto rrethana, disa banka të sistemit kanë kthyer vëmendjen drejt tregjeve të huaja të huadhënies, me fokus kryesor klientët biznes.
Në aspektin teorik, rritja e ekspozimeve të kredisë jashtë vendit mund të krijojë rreziqe shtesë, si vështirësi në monitorimin e aktivitetit të klientëve ose ndryshime në kuadrin ligjor, veçanërisht lidhur me nevojën për ekzekutimin e kolateraleve apo mbledhjen e detyrimeve.
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, cilësia e kredisë në këtë segment mbetet në nivele të ulëta dhe të krahasueshme me raportin e kredive me probleme brenda vendit.
