Netanyahu urdhëron bombardime në Bejrut, Irani i kërkon armëpushim SHBA-ve për Libanin
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se ka urdhëruar ushtrinë të godasë objektiva në periferitë jugore të Bejrutit. Ky veprim vjen si pjesë e zgjerimit të operacioneve ushtarake në jug të Libanit, duke synuar një zonë të konsideruar bastion i grupit Hezbollah.
Sipas një deklarate zyrtare, vendimi është marrë për shkak të “shkeljeve të përsëritura të armëpushimit” nga ana e Hezbollahut, si dhe sulmeve ndaj qyteteve dhe civilëve izraelitë. Urdhri i përbashkët i Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, autorizon ushtrinë izraelite të godasë “objektiva terroriste” në zonën e Bejrutit jugor.
Në të njëjtën kohë, tensionet rajonale janë përshkallëzuar edhe në plan diplomatik. Ministria e Jashtme e Iranit ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të armëpushimit të brishtë mes palëve, pas sulmeve ajrore amerikane në territorin iranian, të cilat kanë sjellë edhe kundërpërgjigje ushtarake.
Zëdhënësi i diplomacisë iraniane, Esmail Baghai, ka deklaruar se “SHBA-të po e shkelin armëpushimin” dhe ka paralajmëruar se Teherani nuk do të hezitojë të ndërmarrë masa për mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Ai gjithashtu shtoi se procesi diplomatik mes dy vendeve po zhvillohet në një klimë mosbesimi dhe deklaratash kontradiktore, duke theksuar se Irani nuk po diskuton aktualisht programin e tij bërthamor me Uashingtonin.
Teherani ka përsëritur qëndrimin se çdo marrëveshje për uljen e tensioneve në rajon duhet të përfshijë si kusht themelor një armëpushim në Liban, ku operacionet ushtarake të Izraelit kundër Hezbollahut janë intensifikuar.
