Ish-kancelari gjerman Schröder mbërrin në Moskë, pas propozimit të Putinit si ndërmjetës me BE
Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder, i cili njihet për marrëdhëniet e tij personale me presidentin rus Vladimir Putin, ka mbërritur në kryeqytetin rus, Moskë. Schröder, ish-udhëheqës i Partisë Socialdemokrate, 82-vjeçar, konsiderohet si një mik personal i liderit të Kremlinit. Ai ka vazhduar punën e tij për kompani ruse të energjisë edhe pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Gjithashtu, raportohet se Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Petersburgut do të çelet më 3 qershor, dhe ka spekulime se Schröder mund të ketë udhëtuar drejt Rusisë për të marrë pjesë në këtë event.
Putin e kishte propozuar më parë Schröderin si një negociator të mundshëm për të sjellë palën evropiane në bisedime me qëllim dhënien fund të luftës, një propozim ky që u refuzua nga Ukraina. Berlini gjithashtu nuk e konsideron seriozisht propozimin e Putinit për Schröderin si negociator të BE-së me Rusinë, duke e parë atë si një përpjekje për të krijuar përçarje në Evropë dhe mes politikanëve gjermanë.
Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksii Makeiev, ka deklaruar se dikush që ka përfaqësuar interesat ruse në Gjermani për vite me radhë, nuk ka “as legjitimitet moral dhe as politik për të vepruar si ndërmjetës sot”.
