Gjimshiti Komenton Ndryshimet te Kombëtarja: Jo Filozofi Italiane, Edhe Maran Ka Idetë E Veta
Berat Gjimshiti foli para ndeshjes miqësore që Kombëtarja do të luajë nesër kundër Izraelit.
“Kaluam nga një humbje e rëndësishme dhe me objektiva të qartë për të arritur atë që në fillim të kualifikueseve dukej pak e pamundur. Por, duke parë gjithë rrugëtimin, të gjithë ishim të bindur se mund ta arrinim. Do të ishte diçka e bukur për ne si kombëtare dhe si shtet.
Jemi sërish në fillim, me një staf të ri. Jemi të motivuar, grupi është pothuajse i njëjtë, me disa lojtarë të rinj. Jemi stërvitur shumë mirë këto ditë dhe do të jemi gati për këtë cikël të ri. Nuk është e lehtë, kemi shumë pak ditë bashkë. Idetë janë të qarta. Me pak kohën që kemi pasur, besoj se kemi parë disa gjëra që trajneri dëshiron për ciklin e ri, që lojtarët t’i realizojnë në fushë.
Sa më shumë kohë kalon, aq më mirë bëhet. Besoj se jemi të gjithë të gatshëm të bëjmë atë që kërkon trajneri dhe të japim maksimumin në fushë. Nuk besoj se është filozofi italiane. Çdo trajner ka idetë e veta. Ashtu siç ishte Silvinjo, edhe trajneri i ri ka idetë e veta. Besoj se pastaj gjithçka varet nga ne në fushë, që të bëjmë atë që kërkon trajneri dhe ta bëjmë sa më mirë.
Sa kohë do të vazhdoni?
Të them të drejtën, nuk e kam menduar ende. Besoj se është sinjal pozitiv, shpresoj të luaj edhe disa vite. Sa më shumë. Pastaj do marr vendimin, por në këto momente nuk po e mendoj fare.
Taktika dhe pozicioni në fushë ndryshojnë.
Nuk është e thjeshtë që brenda 2-3 ditësh të bëhen të gjitha. Dhe besoj se ka qenë i zgjuar që ka vendosur gjërat më të rëndësishme për momentin, për t’i zbatuar në fushë. Kjo është e rëndësishme. Brenda këtyre ditëve, me kohën shumë të pakët që kemi pasur, idetë janë të qarta. Besoj se për taktikën dhe gjëra të tjera, trajneri do japë përgjigje si do të luajë.
Jemi gati për ndeshje të mira në këto dy miqësore, pastaj do të vijnë ndeshjet më të rëndësishme. Izraeli ka treguar përmirësim. Është një skuadër teknikisht e mirë, sidomos në sulm. Do të kujdesemi nesër për këtë ndeshje. Nuk është e thjeshtë. Besoj se në fund të një sezoni të gjatë për të gjithë, por sigurisht me frymë të re dhe trajner të ri, të gjithë lojtarët duan të tregojnë vendin e tyre në kombëtare.
Nuk është normale të vish në kombëtare, të veshësh këtë fanellë. Energjia është shumë pozitive, ashtu siç ka qenë. Do synojmë sa më lart dhe sa më mirë. Shpresojmë të arrijmë të kualifikohemi në turne të mëdha”, u shpreh Gjimshiti.
