Objektivi urgjent i Maran në stolin e Kombëtares: Dy fitore në miqësore për shkak të Botërorit
Ndeshjet miqësore të qershorit do të ofrojnë një mundësi për trajnerin Rolando Maran që të vëzhgojë në veprim shumë nga futbollistët kuqezinj me të cilët do të punojë në drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë. Megjithatë, trajneri është i vetëdijshëm se përveç testimit të lojtarëve, i nevojiten edhe rezultate pozitive në këto sfida.
Kjo kërkesë për rezultate vjen jo vetëm për imazhin e ekipit, duke pasur parasysh se Izraeli dhe Luksemburgu aktualisht vlerësohen si kundërshtarë më të dobët se Shqipëria, por edhe për një arsye më thelbësore: fitoret do të ndihmojnë në ruajtjen e një pozicioni sa më të përshtatshëm në renditjen e FIFA-s.
Shqipëria aktualisht pozicionohet në vendin e 64-t në renditjen botërore, por rrezikon seriozisht të humbasë disa vende përpara fillimit të sfidave zyrtare në Ligën e Kombeve në shtator. Ky rrezik vjen kryesisht për shkak të kriterit të pjesëmarrjes në Botërorin 2026, ku do të përfshihen ekipe që aktualisht renditen pas Shqipërisë në klasifikimin e FIFA-s.
Skuadra të tilla si Bosnjë Hercegovina, Kepi i Gjelbër, Gana, Kuraçao, Haiti dhe Zelanda e Re, të gjitha pjesëmarrëse në aktivitetin botëror, mund të bëjnë një avancim të konsiderueshëm në renditjen e FIFA-s me një rezultat pozitiv gjatë këtij turneu. Kjo ndodh për shkak se pjesëmarrja në fazat finale të turneve të mëdha merr prioritet në përllogaritjen e pikëve.
Për këtë arsye, Shqipëria rrezikon të përkeqësojë pozicionin e saj në renditje dhe, si pasojë, i duhet çdo pikë e mundshme që mund të grumbullohet nga këto ndeshje miqësore kundër Izraelit (vendit të 77-të) dhe Luksemburgut (vendit të 98-të në këtë klasifikim).
Burimi: PANORAMASPORT.AL
