Yield obligacione 15-vjeçare arrin 6.22%: Niveli më i lartë që nga Nëntori 2024

Yield-i i obligacioneve 15-vjeçare arrin 6.22%, niveli më i lartë që nga nëntori i vitit 2024

Yield-et e obligacioneve me maturim 15-vjeçar shënuan një rritje të mëtejshme në ankandin e kësaj jave, duke theksuar sinjalet për një ndryshim të tendencës së normave të interesit në tregun financiar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e zhvilluar të mërkurën, kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rritën lehtë në 6.22%, nga 5.75% që ishte në ankandin e fundit, të muajit prill. Ky nivel i yield-it për këto instrumente është më i larti që prej nëntorit të vitit 2024.

Edhe në këtë ankand u vu re një rënie e kërkesës së investitorëve. Shuma totale e kërkesave arriti rreth 1.41 miliardë lekë, duke mos plotësuar shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.

Pas fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, tendenca e rënies së yield-eve të titujve qeveritarë është frenuar në titujt me maturim afatshkurtër, ndërsa po shfaq prirje rritjeje në instrumentet me maturim më afatgjatë. Përveç rikalibrimit të pritshmërive të investitorëve, përcaktuese në këtë tendencë duket të ketë qenë ulja e pjesëmarrjes së tyre në ankandet e fundit.

Kjo mund të shpjegohet me pritshmëri më të larta për rritje të normave të interesit në muajt e ardhshëm, në ndjekje të presioneve të shtuara inflacioniste që ka shkaktuar rritja e çmimeve të produkteve energjetike. Megjithëse konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon prej tre muajsh dhe çmimet e naftës bruto mbeten në nivele më të larta krahasuar me periudhën para nisjes së tij, procesi i pritshëm i rritjes së normave të interesit ende nuk ka filluar.

Bankat Qendrore kanë preferuar të qëndrojnë në pozita pritëse, duke shpresuar në zgjidhjen e konfliktit, megjithëse sinjalet e para të inflacionit janë të qarta, sidomos ato të përcjellë nga kanali direkt i çmimeve të nënprodukteve të naftës.

Inflacioni në Bashkimin Europian ka arritur në 3.2%, dukshëm mbi objektivin prej 2% të Bankës Qendrore Europiane. Në Shqipëri, të dhënat më të fundit, të prillit, treguan një inflacion në nivelin 2.8%, ende poshtë objektivit të Bankës Qendrore.

Në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë të vitit, Banka e Shqipërisë mbetej optimiste se perspektiva e zhvillimeve të ekonomisë shqiptare mbetet pozitive. Skenari bazë është i ndërtuar mbi supozimin e një përfundimi të shpejtë të luftës në Lindjen e Mesme dhe normalizim gradual të çmimeve të naftës gjatë vitit të ardhshëm. Ai parashikon që inflacioni të shënojë një nivel disi më të lartë krahasuar me projeksionet e mëparshme gjatë vitit 2026, por pa shmangie të ndjeshme në kahun e sipërm ndaj objektivit.

Megjithatë, në raport theksohet se materializimi i skenarëve më të rënduar të rrezikut do të shoqërohej me një rritje më të shpejtë të inflacionit dhe ngadalësim më të fortë të aktivitetit ekonomik.

Në kushtet e kësaj pasigurie, shumica e bankave qendrore kanë zgjedhur të mbajnë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare në mbledhjet e muajit maj, duke përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë, që konfirmoi nivelin prej 2.5%.

Yield-et e titujve qeveritarë në përgjithësi janë hallka e parë dhe më e shpejtë ku transmetohen lëvizjet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Një rritje e yield-eve nuk do të reflektohej vetëm në koston e huamarrjes së qeverisë, por më tej edhe në interesat e kredive të sektorit privat.

E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

Scroll to Top