Projektligje për Përgjegjësinë Mjedisore dhe Vlerësimin e Dëmeve

Projektvendime, gati lista e aktiviteteve me risk mjedisor dhe kriteret për vlerësimin e dëmeve

Përgjegjësia mjedisore është në thelb të dy projektvendimeve të Ministrisë së Mjedisit, të cilat janë hedhur për konsultim publik. Draftet synojnë të plotësojnë kuadrin ligjor, duke përcaktuar qartë listën e veprimtarive që konsiderohen të rrezikshme për mjedisin dhe kriteret mbi të cilat do të vlerësohen kërcënimet dhe dëmet mjedisore.

Projektvendimi i parë identifikon kategoritë e aktiviteteve me risk të lartë për mjedisin, duke përfshirë:

  • Instalimet me leje mjedisore të tipit A
  • Menaxhimin e mbetjeve
  • Shkarkimet në ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore
  • Përdorimin dhe transportin e substancave të rrezikshme
  • Transportin e mallrave ndotëse
  • Aktivitetet me organizma të modifikuar gjenetikisht
  • Menaxhimin e mbetjeve nga industritë nxjerrëse

Sipas draftit, këto veprimtari konsiderohen të rrezikshme pasi mund të shkaktojnë dëme ndaj burimeve natyrore, ndotje të ujërave, tokës dhe ajrit, dëmtim të biodiversitetit dhe habitateve të mbrojtura, si dhe rrezik për shëndetin e njeriut.

Projektvendimi i dytë vendos kriteret që do të përdoren nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për të vlerësuar nëse ekziston një kërcënim i menjëhershëm për dëm mjedisor ose nëse një dëm i tillë është shkaktuar. Dokumenti përkufizon si “kërcënim të menjëhershëm” mundësinë e mjaftueshme që një dëm mjedisor të ndodhë në të ardhmen e afërt.

Vlerësimi do të bazohet në faktorë si:

  • Natyra dhe përqendrimi i ndotësve
  • Probabiliteti i ndodhjes së dëmit
  • Afërsia me burime ujore dhe zona të mbrojtura
  • Rreziku për shëndetin e njeriut
  • Historia e incidenteve të lidhura me aktivitetin përkatës

Drafti përcakton gjithashtu kriteret për identifikimin e dëmit ndaj habitateve natyrore dhe llojeve të mbrojtura, ujërave dhe tokës, si dhe procedurat për përcaktimin e lidhjes shkakësore ndërmjet aktivitetit të operatorit dhe dëmit të konstatuar.

Sipas dokumenteve, të dy aktet synojnë përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me Direktivën 2004/35/EC të Bashkimit Europian për përgjegjësinë mjedisore, në lidhje me parandalimin dhe riparimin e dëmit mjedisor.

Scroll to Top