Tatimet Sqaron Pyetjet Kryesore Rreth Paqes Fiskale
Meqenëse kanë mbetur vetëm dy ditë afat për të përfituar nga marrëveshja e paqes fiskale, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar një material informues, duke u përgjigjur pyetjeve kryesore që kanë bizneset lidhur me këtë proces.
Pyetje dhe Përgjigje:**
- A mund të aplikoj për Paqen Fiskale duke kërkuar vetëm ndryshimin e elementeve të veçanta të pasqyrave financiare?
Aplikimi për Paqen Fiskale fillimisht përfshin vlerësimin e fitimit të tatueshëm në masën 18% krahasuar me një vit më parë. Nëse në formularin e aplikimit për Marrëveshjen e Paqes Fiskale, tatimpaguesi ka zgjedhur të kryejë rideklarim të pasqyrave financiare, atëherë i shtohet edhe ndryshimi i elementeve të veçanta të pasqyrave financiare. - Kam nënshkruar një Marrëveshje të Paqes Fiskale për vitin 2026, me rritje të fitimit të tatueshëm prej 18%. Vitin e ardhshëm, a mund të riaplikoj për ndryshimin e elementeve të veçanta të pasqyrave financiare?
Aplikimi për ndryshimin e elementeve të veçanta të pasqyrave financiare mund të bëhet vetëm një herë dhe vetëm gjatë vitit 2026. Në vitet vijuese mund të aplikohet vetëm për vlerësimin e fitimit të tatueshëm. - Si paguhen këstet e Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave (TAK) apo Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi (TAPB), kur kam nënshkruar Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin 2026?
Afati për pagesën e kësteve mujore, sipas kalendarit të përcaktuar në marrëveshjen e dakordësuar, është dita e fundit e çdo muaji. - Nëse ndryshoj elementet e veçanta të pasqyrave financiare për vitet 2023, 2024 apo 2025, sipas marrëveshjes së dakordësuar për vitin 2026, a do të më gjenerohen gjoba dhe kamatëvonesa si pasojë e ndryshimit të deklaratave tatimore?
Ligji parashikon mosaplikimin e dënimeve administrative. Gjobat dhe kamatëvonesat që mund të gjenerohen në sistem si rezultat i ndryshimit të deklaratave do të trajtohen dhe sistemohen nga Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse. - Nëse në datën 7 qershor kryej aplikimin për Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin 2026, brenda cilës datë do të më dërgohet drafti i marrëveshjes?
Afati për aplikim për Marrëveshjen e Paqes Fiskale është data 5 qershor 2026. Aplikimet e paraqitura pas kësaj date do të refuzohen dhe nuk do të trajtohen. - Nëse aplikoj dhe dakordësohem për Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vlerësimin e fitimit të tatueshëm dhe rritjen e tij me 18%, si do të kryhet shpërndarja, përllogaritja dhe pagesa e kësteve?
Fitimi i tatueshëm llogaritet sipas formulës: fitimi i vitit paraardhës × 1.18. Rritja prej 18% shpërndahet në këstet paraprake për periudhën e mbetur të vitit, nga qershori deri në dhjetor 2026, si dhe për periudhën janar–mars 2027. Pagesa kryhet në baza mujore, brenda ditës së fundit të çdo muaji. - Gjatë vitit për të cilin kam nënshkruar Marrëveshjen e Paqes Fiskale, a do të monitorohem nga Administrata Tatimore?
Administrata Tatimore ruan të drejtën e monitorimit administrativ nga zyra gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së marrëveshjes. Gjithashtu, është detyrë e tatimpaguesit të respektojë dhe të përmbushë detyrimet që lidhen me TVSH-në, tatimin në burim, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, etj. - Kam lidhur një marrëveshje për pagesën me këste të detyrimeve të papaguara, e cila përfundon në dhjetor 2026, dhe i kam paguar rregullisht detyrimet sipas kësaj marrëveshjeje. A mund të aplikoj për Marrëveshjen e Paqes Fiskale 2026?
Një nga kushtet për të përfituar nga Paqja Fiskale është që tatimpaguesi të mos ketë detyrime tatimore të papaguara në momentin e aplikimit. Për rrjedhojë, tatimpaguesi që ka ende detyrime të pashlyera nuk mund të përfitojë nga Paqja Fiskale, edhe nëse për këto detyrime ka lidhur një marrëveshje për pagesën me këste.
