Falje Gjobash Tatimore Automatike deri 31.12.2024 – Afate & Kushte

Nga Kuponi te Pajisjet Fiskale, Gjobat e Vendosura Automatikisht deri më 31 Dhjetor 2024 do të Fshihen

Me hyrjen në fuqi të ligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, bizneset do të përfitojnë jo vetëm faljen e gjobave për deklarim të vonuar, por edhe faljen e gjobave për një sërë shkeljesh të tjera administrative, të cilat janë vendosur automatikisht deri më datën 31 dhjetor 2024.

Përfaqësues të Administratës Tatimore, gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve, kanë sqaruar se ligji për faljen e detyrimeve parashikon fshirjen e një sërë gjobave të vendosura automatikisht deri më 31 dhjetor 2024. Këto përfshijnë gjobat lidhur me pajisjet fiskale, moslëshimin e kuponit tatimor, mosdeklarimet në afat, si dhe gjobat e vendosura nga inspektorët.

Gjithashtu, me zbatimin e ligjit, do të falen edhe dënimet administrative (gjobat) automatike për mosdeklarim në afat, si dhe dënimet që lidhen me afatet e deklarimit të të punësuarve.

Në listën e gjobave që përfitojnë nga falja janë gjithashtu:

  • Gjobat për dorëzimin me vonesë të vendimit të ortakut.
  • Gjobat për dorëzimin e vonuar të pasqyrave financiare për periudhat e llogaritura deri më 31 dhjetor 2024.

Për të përfituar nga falja e gjobave për deklarim të vonuar, Administrata Tatimore ka sqaruar se bizneset kanë afat të dorëzojnë deklaratat deri në fund të qershorit 2026. Kjo falje do të zbatohet me kusht që deklaratat të dorëzohen brenda datës 30 qershor 2026.

Ligji parashikon falje të gjobave dhe kamatëvonesave për kategori të ndryshme detyrimesh. Për periudha të caktuara, parashikohet edhe shuarja e një pjese të principalit, me kusht që tatimpaguesit të përmbushin kriteret dhe afatet e përcaktuara.

Sipas kalendarit të publikuar nga Administrata Tatimore:

  • Më 10.06.2026 fillon pagesa e detyrimeve tatimore për të përfituar nga ligji i faljes.
  • Deri më 30.06.2026 është afati i fundit për pagesën menjëherë të 50% të detyrimit principal, për të përfituar fshirjen e 50% të tij. Ky parashikim vlen për detyrimet tatimore të periudhës 2015-2019.
  • Për dorëzimin e deklaratave të padorëzuara për periudhat deri më 31.12.2024, për të përfituar faljen e gjobave për deklarim të vonuar, afati është 30.06.2026.
  • Deri më 30.11.2026 është afati i fundit që subjektet kanë për të paraqitur pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse aktin e heqjes dorë nga ankimi.
  • Afati i fundit për pagesën e 75% të detyrimit principal, për të përfituar fshirjen e 25% të tij, është 30.12.2026. Ky parashikim vlen për detyrimet tatimore të periudhës 2015-2019.
  • Për pagesën e 100% të principalit, për të përfituar fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave, ky parashikim vlen për detyrimet tatimore të periudhës 2020-2024.

Fshirja dhe Shuarja e Detyrimeve Tatimore të Tjera – Neni 7

Detyrimet tatimore dhe dënimet administrative për tatimpaguesit e çregjistruar në QKB, ose me vendim gjykate ose në AT, deri në datën 31.12.2024 përfshijnë:

  • Dënimet administrative (gjoba) automatike për mosdeklarim në afat dhe dënimet e lidhura me afatin e deklarimit të të punësuarve.
  • Deklaratat e padorëzuara deri në periudhën 31.12.2024 – Gjoba për deklarim të vonuar – Dorëzim deklaratash deri më 30.06.2026.
  • Gjobat për dorëzim të vonuar të vendimit të ortakut apo dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare të llogaritura deri më 31.12.2024.
  • Falja e gjobave për deklarim të vonuar, me kusht që deklaratat të dorëzohen deri më 30.06.2026.
Scroll to Top