Turizmi Shqiptar: Probleme dhe Modele Zhvillimi Gabuar

“`html

Turizmi shqiptar pa busull: Rasti i Zvërnecit si simptomë e një modeli të gabuar zhvillimi

Prof. Dr. Mislim Zendeli

Edhe pse nuk kam informata të plota, të cilat, siç duket, nuk i posedojnë shumica dhe për këtë arsye protestojnë me të drejtë, si ish-pedagog nga fusha e turizmit, po jap opinionin tim lidhur me të ashtuquajturin projekt “Zvërnec–Nartë–Sazan”. Problemet rreth zhvillimit të çrregullt* të turizmit në Shqipëri datojnë prej kohësh. Vendi doli nga një diktaturë e paparë dhe strukturat udhëheqëse të kohës, shpesh pa vizion dhe pa përvojë, nuk dinin nga t’ia fillonin.

Megjithatë, që në vitet e para pas çlirimit nga diktatura, duhej të viheshin themelet për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, pasi Shqipëria kishte pothuajse çdo parakusht natyror dhe kulturor: detin, plazhet, peizazhet mahnitëse, qytetet e trashëgimisë si Berati, Gjirokastra, Kruja, Korça, lumenj të pastër, male dhe një pasuri natyrore që, siç themi rëndom, “ia ka falur Zoti”. Për më tepër, kishte një popullsi të re dhe relativisht të arsimuar e të edukuar.

Por mungoi strategjia afatgjatë për zhvillimin e turizmit. Në vend të planifikimit serioz, u lejua degradimi urban dhe mjedisor. Riviera e Durrësit u mbingarkua deri në ekstrem me ndërtime pa kriter; Saranda u mbulua me kulla mbi kulla; e njëjta logjikë u ndoq në rivierën e Vlorës, asaj të Gjirit të Lalëzit dhe shumë zona të tjera bregdetare. Bregdeti u uzurpua nga të fortët, u prenë pyje e pisha, u shkatërruan peizazhe të rralla për objekte pa identitet arkitekturor dhe pa harmoni me natyrën.

Më vonë nisi vala e resorteve luksoze. Lura, Valamar, San Pietro, Green Coast, Turquoise Marina, e të tjera me vila skajshmërisht të shtrenjta, por shpesh pa infrastrukturë bazike turistike: rrugë jofunksionale, pa kanalizime, pa furnizim të qëndrueshëm me ujë, menaxhim mbetjesh apo transport publik adekuat. Ky model zhvillimi, në stadin ekonomik dhe turistik të vendit, nuk solli rritjen e pritshme të konsumit turistik, pasi investime të tilla kanë efekt të kufizuar multiplikativ kur ekonomia vendase nuk është e integruar me bujqësi intensive, industri ushqimore dhe prodhim lokal.

Në mungesë të një strategjie të mirëfilltë, u bllokuan plazhet publike, u tolerua filozofia “kap çka të kapish”, ndërsa degradimi vazhdoi më tej në lumenj, male dhe zona me vlera të jashtëzakonshme natyrore. Gjatë gjithë kësaj periudhe postdiktatoriale u tolerua degradimi i vazhdueshëm dhe, në shumë raste, shkatërrimi i peizazheve natyrore, habitateve, florës dhe faunës. Një shkatërrim i ambienteve të rralla i lejua në Theth, Valbonë, dhe pothuajse në shumicën e perlave turistike të Shqipërisë.

Shteti, fatkeqësisht, shpesh mbeti në rolin e një vëzhguesi pasiv, duke mos ndërmarrë me kohë masat e nevojshme mbrojtëse përmes institucioneve kompetente. Në vend të ndërhyrjeve parandaluese dhe politikave të qarta konservuese, zakonisht mjaftohej vetëm me konstatimin e gjendjes, ndërkohë që dëmet mjedisore thelloheshin dita-ditës. Mungesa e kontrollit institucional, e planifikimit hapësinor dhe e zbatimit të ligjit krijoi terren për ndërtime pa kriter, uzurpim të hapësirave publike dhe dëmtim të ekosistemeve me vlera të jashtëzakonshme natyrore e turistike.

Nga ana tjetër, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se qeveritë, Nano, Berisha dhe Rama (kjo e fundit shumë më tepër), kanë bërë investime të rëndësishme në atë që quhet turizëm kulturor. Restaurimi i qendrave historike në Gjirokastër, Berat, Korçë, Voskopojë, Pazari i Krujës, pedonalja e Shkodrës, kalatë e shumta historike dhe nxitja e disa modeleve të agroturizmit si “Mrizi i Zanave”, “Gjepali”, “Kazerma”, “Kodra e gjelbër” janë hapa pozitivë.

Edhe pse kapitali privat ka realizuar investime të konsiderueshme, të dukshme pothuajse gjithandej – veçanërisht në ndërtimin e objekteve të industrisë së mikpritjes si hotele, restorante, bare dhe struktura të tjera akomoduese e rekreative – zhvillimi i turizmit vazhdon të përballet me mangësi serioze strukturore. Investimet private, sado të rëndësishme, nuk mund ta zëvendësojnë rolin strategjik të shtetit në planifikimin afatgjatë, zhvillimin e infrastrukturës bazike turistike dhe mbrojtjen e resurseve natyrore e kulturore. Pikërisht mungesa e këtij koordinimi ndërmjet kapitalit privat dhe politikave publike ka bërë që, në shumë raste, zhvillimi turistik të mbetet spontan, i pabalancuar dhe larg standardeve të turizmit të qëndrueshëm.

Shteti pra, nga ana e tij, ka investuar shumë pak në infrastrukturën bazike turistike. Pas më shumë se tri dekadash tranzicion, vendi ende nuk ka transport hekurudhor funksional, transporti publik ndërurban mbetet problematik, mungon transporti ujor që lidh portet turistike, ndërkaq ai ajror çalon nga stërngarkesa gjatë pikut. Ka pak shkolla profesionale për industrinë e mikpritjes, ndërsa shumë plazhe mbeten pa parkingje, pa shpëtimtarë, pa sinjalistikë dhe pa standarde elementare shërbimi. Probleme serioze vazhdojnë të jenë edhe menaxhimi i ujit të pijshëm, mbeturinave dhe ujërave fekale.

Efekti multiplikativ i turizmit mbetet i vogël pasi Shqipëria nuk ka prodhim vendor konkurrues, bujqësi intensive dhe industri përpunuese, sepse një pjesë e madhe e të ardhurave të turizmit përfundon në importe.

Sa i përket rastit të Zvërnecit, për aq sa është bërë publike deri më tani, mendoj se projekti bie ndesh me parimet themelore të turizmit të qëndrueshëm. Turizmi i qëndrueshëm konsiston në zhvillimin e turizmit në një mënyrë që plotëson nevojat e turistëve dhe komunitetit lokal sot, pa dëmtuar mundësitë e brezave të ardhshëm. Ai nuk ka të bëjë vetëm me fitimin ekonomik, por me ruajtjen e një ekuilibri ndërmjet ekonomisë, mjedisit dhe shoqërisë. Kjo nënkupton:

  • Qëndrueshmëri mjedisore – ruajtje të natyrës, biodiversitetit dhe peizazhit, kufizim të betonizimit dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të resurseve, si dhe mbrojtje të zonave të ndjeshme.
  • Qëndrueshmëri ekonomike – krijim përfitimesh reale për ekonominë lokale dhe jo vetëm për investitorë të mëdhenj, mbështetje të prodhuesve vendas, gastronomisë tradicionale dhe punësimit afatgjatë.
  • Qëndrueshmëri sociale e kulturore – respektim të identitetit lokal, trashëgimisë dhe mënyrës së jetesës së komunitetit, pa e transformuar një territor në një hapësirë artificiale që humb autenticitetin.

Shqipëria ka nevojë për zhvillim turistik, por jo për çdo çmim. Ajo ka nevojë për vizion, planifikim dhe politika që ndërtojnë të ardhmen pa shkatërruar atë që natyra dhe historia ia kanë falur. Në këtë kontekst, projekti, për aq sa është bërë publik deri më tani, kontestohet me të drejtë nga protestuesit dhe nga ajo pjesë e opinionit publik që beson se zhvillimi ekonomik duhet të jetë në funksion të interesit afatgjatë të vendit dhe komunitetit lokal.

Natyrisht, investimet e huaja janë të mirëseardhura dhe të nevojshme për një ekonomi në zhvillim si ajo shqiptare. Mirëpo, pyetja thelbësore është: çfarë benefitesh konkrete sjellin ato për komunitetin dhe shtetin? Një investim nuk duhet vlerësuar vetëm nga madhësia financiare apo pamja imponuese e projektit, por nga ndikimi real ekonomik, social dhe mjedisor që lë pas e që do t’ju ngelë trashëgimi brezave pas.

Në rastin konkret, korporatat investuese mund të gjallërojnë përkohësisht industrinë e ndërtimit dhe të hapin vende pune, por mbetet dilema legjitime nëse këto vende pune do të jenë të qëndrueshme, të mirëpaguara dhe me perspektivë reale për komunitetin vendas. Përvoja e deritanishme tregon se shpesh punësimi mbetet kryesisht sezonal ose me paga minimale, ndërsa pjesa më e madhe e fitimit transferohet jashtë vendit, duke kufizuar efektin real multiplikativ në ekonominë kombëtare.

Nëse një projekt nuk arrin të integrojë prodhuesit vendas, bujqësinë, gastronomisë lokale, bizneset e vogla dhe fuqinë punëtore të kualifikuar vendase, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja popullore: “A ia vlen barra qiranë?”

* Zhvillim stihik nënkupton që turizmi është zhvilluar në mënyrë të çrregullt, pa strategji afatgjatë, pa plan urbanistik ose pa koordinim nga institucionet.

Mislim Zendeli, ish pedagog në Fakultetin e Turizmit dhe Hotelerisë, pranë Universitetit të Tetovës.

“`

Scroll to Top