Papa Leoni: Luftërat, riarmatimet “dështim shoqërive”

Papa Leoni: Luftërat dhe riarmatimet, “dështim i shoqërive”

Papa Leoni ka deklaruar se lufta dhe riarmatimi përfaqësojnë një “dështim” të shoqërive. Ai ka paralajmëruar se paqja e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet me mjete ushtarake dhe u ka bërë thirrje qeverive të vendosin drejtësinë, dialogun dhe dinjitetin njerëzor në qendër të politikave publike.

Gjatë vizitës së tij apostolike në Spanjë, Papa Leoni u drejtua Parlamentit spanjoll në Madrid, duke u bërë kështu papa i parë në histori që mban një fjalim para këtij institucioni. Siç raporton Vatican News, theksi kryesor i fjalimit të tij ishte mbrojtja e jetës njerëzore dhe ruajtja e dinjitetit të çdo individi.

“Çdo jetë njerëzore duhet të njihet dhe të mbrohet që nga ngjizja deri në fundin e saj natyror, në çdo rrethanë të ekzistencës së saj”, theksoi ai.

Ai shtoi: “Mbrojtja e jetës njerëzore nuk është as çështje interesi privat dhe as shqetësim fetar, por një objektiv i qytetërimit”. Papa argumentoi se shoqëritë rrezikojnë të humbasin bazën e tyre morale nëse nuk arrijnë të mbrojnë më të pambrojturit.

Duke folur për çështjen e migracionit, Papa Leoni e përshkroi atë si “dramën tragjike të migrimit”, duke shtuar se ajo sfidon “ndërgjegjen e kombeve dhe bazën etike të rendit ndërkombëtar”. Ai theksoi se situata e migrantëve dhe refugjatëve kërkon “një përgjigje që vendos njerëzit në qendër, trajton shkaqet që i detyrojnë të largohen dhe shkon përtej menaxhimit të thjeshtë të flukseve”.

Scroll to Top