Kredia për investime u rrit me 34% në katër muajt e parë të këtij viti
Kredia për investime e dhënë bizneseve ka shënuar një rritje në katër muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në periudhën janar-prill, vlera e kredisë së re për investime arriti në 32.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo rritje është vënë re paralelisht në të dy segmentet kryesore të kredisë për investime:
- Makineri dhe pajisje: Kredia për blerjen e makinerive dhe pajisjeve arriti në 10.5 miliardë lekë, duke u rritur me 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
- Pasuri të paluajtshme: Kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme për bizneset arriti në 22.2 miliardë lekë, duke u rritur me 29% krahasuar me vitin e kaluar.
Në përgjithësi, kredia për biznesin në muajt e parë të këtij viti paraqitet në përmirësim dhe me një ecuri më të mirë krahasuar me vitin e kaluar. Kredia për investime vazhdon të tregojë rritje dyshifrore, e shprehur edhe si tepricë në portofol. Në fund të prillit, portofoli total i kredisë për investime arriti në 324.8 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej rreth 14%. Kjo rritje e portofolit është e qëndrueshme në kohë, duke marrë parasysh se kredia për investime zakonisht ka afate më të gjata shlyerjeje.
Ritmet vjetore të rritjes së kredisë për investime janë përshpejtuar krahasuar me nivelin prej 13% në fund të vitit 2025. Aktualisht, kredia për investime përbën rreth 61% të vlerës totale të kredisë për bizneset, ndërsa kredia për pasuri të paluajtshme zë rreth 42% të këtij portofoli.
Ecuria pozitive e ekonomisë shqiptare vitet e fundit, veçanërisht në sektorët e lidhur me pasuritë e paluajtshme dhe shërbimet turistike, ka kontribuar në rritjen e investimeve të reja të bizneseve. Rritja e turizmit, për shembull, ka shtuar kërkesën për kapacitete të reja akomoduese, duke nxitur investimet në hotele. Gjithashtu, perceptimi pozitiv për zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme ka nxitur investimet në ndërtime me përdorim tregtar apo industrial.
Normat e ulëta të interesit dhe oferta e lartë bankare për kredi kanë luajtur gjithashtu një rol në nxitjen e investimeve të biznesit në prona. Gjallërimi i kredisë për biznesin, sidomos asaj për investime, po i jep shtysën kryesore rritjes së kredisë për ekonominë gjatë pjesës së parë të këtij viti. Në krahasim, kreditimi i individëve, sidomos për blerjen e banesave, paraqitet me ritme më të ngadalësuara.
Të dhënat paraprake të INSTAT tregojnë se vitin e kaluar, investimet në ekonomi patën një ecuri pozitive. Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit mesatarisht me 4.7% gjatë katër tremujorëve të vitit të kaluar, duke qenë më i lartë se mesatarja e rritjes ekonomike. Kredia bankare po vazhdon të mbështesë zgjerimin e investimeve në ekonomi.
