96 organizata kërkojnë rishikim ligji për zonat e mbrojtura

96 organizata kërkojnë rishikimin e politikave për zonat e mbrojtura, i dërgojnë letër Kuvendit

Pas zhvillimeve të fundit në zonën e mbrojtur Pishë-Poro Nartë, 96 organizata të shoqërisë civile i kanë dërguar një kërkesë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Organizatat kërkojnë që politikat e qeverisë shqiptare për zonat e mbrojtura të rishikohen me prioritet.

Ky veprim vjen si vazhdim i qëndrimit të tyre të paraqitur në vitin 2024 kundrejt ndryshimeve në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”. Pavarësisht kundërshtimeve dhe komenteve të shoqërisë civile, Kuvendi miratoi ligjin e ndryshuar në shkurt 2024.

Siç ishte parashikuar, ndryshimet e bëra në ligjin për zonat e mbrojtura po sjellin jo vetëm dëmtimin e tyre, por edhe mungesë transparence në vendimmarrje, anashkalim të strukturave vendimmarrëse mjedisore dhe probleme me qytetarët. Rasti më i fundit është ai i investimit në “zonën bërthamë” të Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro – Nartë”.

Pas një analize të kujdesshme të vendimmarrjes mjedisore në Shqipëri, procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe pasojave afatgjata të lejimit të investimeve turistike në zonat e mbrojtura, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë:

  • Shfuqizimin e menjëhershëm të dispozitave të miratuara me ligjin e ndryshuar për zonat e mbrojtura (nr. 21/2024).
  • Nisjen e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës për përafrimin e plotë të ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” me standardet e BE-së.
  • Vendosjen e një moratoriumi për dhënien e lejeve për zhvillime të reja turistike dhe infrastrukturore në zonat e mbrojtura, deri në sigurimin e përafrimit të plotë me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.

Këto kërkesa mbështeten në tri shqetësime kryesore:

  • Ligji i ndryshuar po vepron kundër zonave të mbrojtura dhe rrezikon të bllokojë procesin e integrimit në BE.
  • Investimet në zonat e mbrojtura krijojnë një konflikt me kosto të lartë dhe afatgjatë për të ardhmen e vendit.
  • Nuk respektohet pjesëmarrja publike, llogaridhënia dhe transparenca në vendimmarrjen mjedisore.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka qenë nismëtari dhe miratoi ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Për këtë arsye, besojmë se ai ka përgjegjësi të rëndësishme institucionale për të adresuar pasojat e këtij vendimi dhe për të siguruar që zonat e mbrojtura të Shqipërisë të qeverisen në përputhje me standardet e BE-së dhe parimet e IUCN-së.

Scroll to Top