“`html
Paratë e dërguara nga emigrantët arrijnë 274 milionë euro në janar-mars
Prurjet monetare nga emigrantët drejt familjeve të tyre në Shqipëri tregojnë një tendencë vazhdimisht në rritje, duke u shoqëruar nga shtimi i numrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, si pasojë e valës së re të emigracionit.
Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë, pjesë e bilancit të pagesave, bënë të ditur se të ardhurat nga emigrantët arritën 274 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, duke shënuar një rritje prej 9.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Që prej vitit 2013, vlerat monetare të sjella nga emigrantët në Shqipëri kanë shënuar rritje të vazhdueshme, duke reflektuar një cikël të ri emigracioni, i cili ka nisur kryesisht pas vitit 2015. Pas një rënieje të ndikuar nga pandemia në vitin 2020, tendenca rritëse u përshpejtua dukshëm.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se migracioni neto, që përfaqëson diferencën mes numrit të personave që vendosen në vend dhe atyre që largohen, vijon të jetë negativ në Shqipëri gjatë periudhës 2011-2025, me një tendencë rritëse pas pandemisë.
Vlerësohet se më shumë se 166.4 mijë shqiptarë kanë braktisur vendin në periudhën pas pandemisë, nga 1 janari 2021 deri në 2026.
Të dhënat më të fundit zyrtare nga INSTAT mbi migrimin neto për periudhën 2011–2026, tregojnë se kur kufizimet globale të lëvizjes u lehtësuan në vitin 2021, u regjistrua një rritje e fortë e migrimit neto me -32,853 persona. Kjo tendencë mbeti pothuajse e pandryshuar edhe gjatë vitit 2022, me -32,497 persona të larguar.
Ky fluks i pandalshëm arriti kulmin në vitin 2024, periudhë në të cilën u regjistrua edhe humbja më e madhe historike e dekadës, me një bilanc negativ prej -43,761 personash. Ky rezultat u ndikua edhe nga rishikimet e kryera nga Censusi i popullsisë, ku të dhënat e dy viteve u përmblodhën në një.
Në dy vitet e mëvonshme, 2025-2026, pritet të largohen mbi 57.3 mijë persona, ose mesatarisht mbi 28 mijë persona në vit.
Krahasuar me popullsinë rezidente, këto shifra mbeten jashtëzakonisht të larta dhe dëshmojnë se fenomeni i largimit të popullsisë nuk po njeh ndalesë.
Këtë trend e ka konfirmuar edhe Eurostat, sipas të cilit për periudhën 2021 – 2024, vendet anëtare të BE-së kanë lëshuar 284,585 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë.
Vërehet një tendencë në rritje për lejet e punës, të cilat përbëjnë gati një të tretën e lejeve të qëndrimit gjithsej dhe janë dyfishuar krahasuar me periudhën para pandemisë.
Aktorët e tregut pohojnë se destinacionet kryesore vijojnë të jenë vendet tradicionale të emigracionit si Greqia dhe Italia. Megjithatë, vitet e fundit është vënë re një rritje edhe nga destinacione të reja si Anglia dhe Gjermania.
Remitancat llogariten nga Banka e Shqipërisë si pjesë e llogarisë korrente në bilancin e pagesave, në përputhje me standardet e FMN-së (BPM6). Ato përfshijnë të gjitha prurjet monetare që emigrantët dërgojnë drejt familjeve dhe individëve rezidentë në Shqipëri, si përmes kanaleve formale (bankat, institucionet financiare dhe operatorët e transfertave), ashtu edhe përmes vlerësimeve të prurjeve informale.
Për këtë qëllim, Banka përdor të dhënat e sistemit bankar, raportimet periodike të subjekteve të licencuara dhe anketa specifike tek familjet përfituese, me synimin për të kapur tërësinë e flukseve reale të remitancave në ekonomi.
Burimi: BSH
“`
