Investimet e huaja shënojnë rritje në tremujorin e parë, 43% e tyre për pronat
Investimet e huaja direkte regjistruan një rritje të re në tremujorin e parë të vitit 2026. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ato arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke vendosur një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar, investimet e huaja janë rritur me 11.6%.
Të dhënat e tremujorit të parë konfirmojnë në përgjithësi tendencat e viteve të fundit, ku investimet e huaja direkte mbështeten kryesisht nga sektori i pasurive të paluajtshme, por edhe nga fitimet e larta të riinvestuara në sektorë të caktuar të ekonomisë, siç janë industria nxjerrëse e hidrokarbureve dhe sektori financiar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte u përqendruan:
- Në pasuri të paluajtshme: 43%
- Në ndërmjetësimin financiar: 17%
- Në sektorin energjetik: 9%
- Në komunikacion: 5%
- Në hidrokarbure: 4%
Duke u bazuar në këtë strukturë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohet të kenë arritur në 174 milionë euro, duke shënuar një rekord të ri për tremujorin e parë të vitit. Rritja e tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri gjatë viteve të fundit mbështetet në masë të konsiderueshme nga kërkesa e investitorëve të jashtëm. Investimet e huaja në prona janë veçanërisht karakteristike për zonat bregdetare, ku, pavarësisht rritjes së çmimeve, ato mbeten konkurruese krahasuar me vendet e tjera bregdetare të rajonit.
Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka kthyer pasuritë e paluajtshme në një alternativë më tërheqëse, duke rritur numrin e blerësve për qëllime investimi. Përqendrimi në rritje i investimeve në pasuritë e paluajtshme ka ndihmuar në balancimin e strukturës mes investimeve të reja dhe fitimeve të riinvestuara.
Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet e riinvestuara arritën në 206 milionë euro, ose 51% të fluksit total të investimeve të huaja direkte. Megjithatë, ato shënuan një rënie prej 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, injektimi i kapitaleve të reja ishte 183 milionë euro, me një rritje vjetore prej 25.3%.
Investimet e huaja direkte luajnë një rol të rëndësishëm në bilancin e pagesave, duke kompensuar deficitin e llogarisë korrente dhe duke plotësuar nevojat e ekonomisë për valutë të huaj në importin e mallrave. Sipas Bankës së Shqipërisë, ato kanë qenë ndër faktorët kryesorë në forcimin e vazhdueshëm të Lekut në kursin e këmbimit valutor gjatë viteve të fundit.
