Gjykohet dekreti i Presidentit për zgjedhjet në Tiranë

Zyra e Medias e Presidencës ka reaguar zyrtarisht lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj, që caktonte datën e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës.

Institucioni i Presidentit deklaron se respekton plotësisht vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese. Ky vendim rrëzon pjesën e dekretit presidencial për datën e zgjedhjeve të parashikuara për datën 9 nëntor.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pjesa në fjalë e dekretit është shpallur në kundërshtim me Kushtetutën dhe është pezulluar deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.

Shqyrtimi i dekretit erdhi pas ankimimit të paraqitur nga avokatët e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkoi shpalljen e pavlefshme të dekretit presidencial për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Tiranë.

Zyra e Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun e Presidencës, në një njoftim për media të datës 9 tetor 2025, sqaron se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës, të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili publikohet në Fletoren Zyrtare, argumenton rrëzimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë së Tiranës. Këto zgjedhje u pezulluan pas këtij vendimi pasi u gjetën në shkelje të Nenit 115 të Kushtetutës.

Trupa gjykuese, e përbërë nga 8 anëtarë, ka argumentuar se lejimi i zhvillimit të zgjedhjeve dhe ligjërimi i dekretit do të sillnin “pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor”, duke iu referuar ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kishte ankimuar shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Ministrave.

Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit, vlerësoi se në rastin konkret zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme për të drejtat e kërkuesit, përderisa çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.

Për këto arsye, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore, njëzëri vendosi: “Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë”.

Leave a Comment

Scroll to Top