BE: Franca & Gjermania kërkojnë reformë diplomatike

Franca dhe Gjermania kërkojnë reformimin e diplomatisë së BE-së; në diskutim kufizimi i kompetencave të Kaja Kallas

Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë mundësinë e një reforme të thellë të shërbimit diplomatik të Bashkimit Evropian, me synimin për ta bërë bllokun më efektiv në përballimin e krizave gjeopolitike.

Sipas raportimit të gazetës Financial Times, Parisi, Berlini dhe disa kryeqytete të tjera evropiane po diskutojnë propozime që mund të çojnë në rishpërndarjen e kompetencave të shefes së diplomatisë së BE-së, Kaja Kallas, si dhe të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS). EEAS operon me një buxhet vjetor prej rreth 1 miliard eurosh.

Sipas pesë zyrtarëve të lartë, të cilët janë në dijeni të diskutimeve, një nga opsionet e trajtuara është transferimi i disa përgjegjësive nga EEAS te Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare.

Shërbimi diplomatik i BE-së u krijua 15 vite më parë me qëllimin për të koordinuar politikën e jashtme të unionit. Megjithatë, zhvillimet e fundit ndërkombëtare kanë nxitur debate mbi nevojën për një strukturë më të shpejtë dhe më efikase në reagim.

Deri më tani, nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar, ndërsa diskutimet mes vendeve anëtare vijojnë.

Scroll to Top