Pensionet e Pjesshme Rriten: 55% në 2025, Brezi i Tranzicionit në Vështirësi

Brezi i tranzicionit ndëshkohet: 55% e pensionistëve me pagesë të pjesshme në 2025

Situata financiare e pensionistëve po përkeqësohet vit pas viti, ndërsa numri i atyre që nuk plotësojnë kushtet për pension të plotë po rritet me ritme të shpejta. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se në vitin 2025, pensionet e pjesshme përbënin 55.2% të totalit të pensioneve të pleqërisë. Kjo shifër shënon një rritje prej 3 pikë për qind krahasuar me vitin 2024, kur ishte 52.1%.

Gjatë vitit 2025, numri i përfituesve të pensionit të plotë ka shënuar një rënie, duke zbritur nga 287,279 përfitues në vitin 2024 në 283,677 në vitin 2025, një ulje prej 1.3%. Në të kundërt, kategoria e pensioneve të pjesshme ka përjetuar një rritje të ndjeshme, duke u rritur nga 316,781 në 353,983 përfitues në të njëjtin periudhë kohore, me një shtim prej 11.7%.

Përfitimi i pensionit përcaktohet në bazë të viteve të kontributeve të derdhura në raport me periudhën e kërkuar nga ligji, e cila po rritet gradualisht duke tejkaluar 38 vitet. Shumica e këtyre pensionistëve marrin vetëm një pjesë të pensionit bazë, shpesh pranë nivelit të pensionit social. Këto shuma janë të pamjaftueshme për të mbuluar kostot minimale të jetesës, sidomos në një ambient ku çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve mjekësore po rriten, ndërkohë që pagat e punonjësve janë rritur më shpejt.

Për të mbijetuar, shumë të moshuar që marrin pensione të pjesshme detyrohen të vazhdojnë të punojnë edhe pas moshës së pensionit, shpesh në sektorin informal.

Rritja e shpejtë e numrit të pensionistëve me pagesë të pjesshme në Shqipëri, e cila brenda një viti u rrit nga 52.1% në 55.2% të totalit, është rezultat i drejtpërdrejtë i problemeve strukturore të tregut të punës dhe legjislacionit vendas gjatë tre dekadave të fundit.

Reforma e Pensioneve e vitit 2014 ka sjellë një rritje progresive të kritereve për përfitimin e pensionit të plotë. Pragu ligjor po rritet çdo vit, me vitet e kërkuara për kontribute që zhvendosen gradualisht drejt një stabilizimi në 40 vite në vitin 2032. Shumë qytetarë që arrijnë moshën e pensionit (65 vjeç për burrat dhe aktualisht mbi 61 e gjysmë për gratë) zbulojnë se, pavarësisht viteve të punës, nuk arrijnë të plotësojnë këtë prag të ri ligjor, duke u kualifikuar automatikisht për pension të pjesshëm.

Pensionistët që dalin në skemë sot i përkasin brezit që ka punuar gjatë viteve të tranzicionit, pas vitit 1991. Pas rënies së regjimit komunist dhe mbylljes së ndërmarrjeve shtetërore, një pjesë e madhe e fuqisë punëtore kaloi në sektorin privat të sapokrijuar, ku puna informalë dhe pa sigurime ishte e përhapur. Shumë vite pune në bizneset private, ndërtim apo tregti gjatë periudhës 1992–2010 nuk janë deklaruar kurrë, duke krijuar mangësi të mëdha në historikun kontributiv të qytetarëve.

Për më tepër, Shqipëria ka përjetuar valë të njëpasnjëshme emigracioni. Shumë qytetarë kanë punuar për 10 apo 15 vite në Shqipëri dhe më pas janë larguar, kryesisht drejt Greqisë apo Italisë, ku shpesh kanë punuar gjithashtu në mënyrë të parregullt ose kanë derdhur kontribute në sistemet e atyre vendeve.

Në afatgjatë, nëse ky trend nuk frenohet përmes politikave agresive kundër informalitetit dhe nxitjes së deklarimit të pagave reale, skema rrezikon të transformohet nga një sistem sigurimesh në një sistem asistencë sociale, ku shteti do të paguajë shuma minimale për të parandaluar varfërinë ekstreme të popullsisë që plaket me shpejtësi.

Scroll to Top