Misteri rreth diplomatit amerikan të gjetur i vdekur në një hotel në Myanmar, ndalohet një shtetase tajlandeze.
Një punonjës i ambasadës amerikane në Yangon të Myanmarit është gjetur i vdekur, ka konfirmuar Departamenti i Shtetit i SHBA-së. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe ka çuar në nisjen e hetimeve nga autoritetet lokale.
Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për “vdekjen e një punonjësi të qeverisë amerikane” që shërbente në ambasadën në Yangon. Megjithatë, ata nuk kanë dhënë detaje të tjera, duke theksuar se informacioni po mbahet i kufizuar për arsye privatësie dhe respekti ndaj familjes.
Ndërkohë, sipas burimeve diplomatike të cituara nga agjencia Associated Press, trupi i pajetë është gjetur rreth dy javë më parë në ambientet e “Sakura Residence & Hotel”. Ky hotel është një vend i frekuentuar nga diplomatë dhe biznesmenë ndërkombëtarë, dhe ndodhet jo shumë larg ambasadës amerikane në Yangon.
Autoritetet lokale po e trajtojnë ngjarjen si një rast të mundshëm vrasjeje. Në kuadër të hetimeve, është ndaluar një shtetase tajlandeze.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Tajlandës ka njoftuar se po ndjek rastin dhe po punon për lirimin e gruas së ndaluar, duke shtuar se ka informuar edhe familjarët e saj.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
