Shqipëria kandidate për BE: Progres në mbrojtjen e të dhënave

**Komisioneri Dervishi ngre në Bruksel statusin e vendeve kandidate në transferimin e të dhënave**

Gjatë punimeve të Mbledhjes së 121-të Plenare të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), e cila u zhvillua në Bruksel, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, ngriti në nivel evropian çështjen e vlerësimit të progresit të vendeve kandidate në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Gjatë sesionit të diskutimit me Komisionerin Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, z. Michael McGrath, Komisioneri Dervishi paraqiti progresin e arritur nga Shqipëria në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me Acquis të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Në ndërhyrjen e tij, Komisioneri Dervishi theksoi se Shqipëria ka miratuar një ligj të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, plotësisht të harmonizuar me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën 2016/680 për autoritetet e zbatimit të ligjit. Ai shtoi se Shqipëria disponon një autoritet mbikëqyrës të pavarur, në përputhje me standardet evropiane, dhe që prej vitit 2016 kontribuon në punën e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) në cilësinë e vëzhguesit.

Duke iu referuar faktit se, pavarësisht këtij progresi, nivelit të lartë të përafrimit me standardet evropiane dhe duke u konsideruar në të njëjtin nivel me vendet anëtare të BE-së, Shqipëria ende vijon të konsiderohet vend i tretë për qëllime të transferimit të të dhënave personale, Komisioneri Dervishi theksoi nevojën që progresi i vendeve kandidate të vlerësohet në mënyrë objektive dhe në përputhje me nivelin e harmonizimit të legjislacionit dhe kapaciteteve institucionale me Acquis të Bashkimit Evropian, me ritme më të shpejta.

Në përgjigjen e tij, Komisioneri Evropian Michael McGrath vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e përputhshmërisë së legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Ai theksoi se marrëdhënia e Bashkimit Evropian me Shqipërinë në këtë fushë zhvillohet në kuadër të një procesi më të gjerë dhe më ambicioz, të lidhur drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit në BE, i cili përfshin një nivel më të avancuar integrimi sesa një vendim i veçantë për përshtatshmërinë (adequacy). Gjithashtu, ai nënvizoi se transferimet e të dhënave personale mund të realizohen në përputhje me mekanizmat dhe instrumentet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Gjatë mbledhjes plenare, pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu një sërë çështjesh me rëndësi për zhvillimet më të fundit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në Bashkimin Evropian, përfshirë anonimizimin e të dhënave, njoftimin e shkeljeve të sigurisë, ndërveprimin ndërmjet Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) dhe Aktit për Tregjet Digjitale (Digital Markets Act), si dhe sfidat që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja.

Pjesëmarrja aktive e Autoritetit Shqiptar në punimet e EDPB-së dhe diskutimet e zhvilluara në nivel të lartë evropian konfirmojnë angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, si pjesë e procesit të integrimit evropian dhe forcimit të të drejtave themelore të qytetarëve.

Scroll to Top