“Provokoi Phenianin!” Ish-presidenti i Koresë së Jugut, Yoon, dënohet me 30 vjet burg për dërgimin e dronëve në Korenë e Veriut
Një gjykatë në Seul ka dënuar ish-presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, me 30 vjet burg. Ai u shpall fajtor për urdhërimin e operacioneve me dronë drejt Koresë së Veriut, me qëllim përshkallëzimin e tensioneve ndërkufitare dhe krijimin e një justifikimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në dhjetor 2024.
Vendimi i gjykatës pasoi kërkesën e ekipit të prokurores speciale Cho Eun-suk, e cila kishte kërkuar një dënim prej 30 vitesh burg për ish-presidentin.
Prokurorët akuzuan Yoon se kishte urdhëruar fluturimet e dronëve në tetor 2024 për të provokuar Phenianin dhe për ta përdorur përshkallëzimin e situatës si pretekst për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme më 3 dhjetor 2024.
Sipas vendimit të gjykatës, ish-presidenti u shpall fajtor për vepra që përfshijnë abuzimin me pushtetin dhe veprime që dëmtonin interesat e sigurisë kombëtare, duke rrezikuar stabilitetin në Gadishullin Korean.
Gjykata arriti në përfundimin se operacionet me dronë ishin pjesë e një plani për të rritur tensionet me Korenë e Veriut dhe për të krijuar bazën politike për masa të jashtëzakonshme në vend.
