Një çift britanik është arrestuar në Spanjë pasi dyshohet se lanë vetëm tre fëmijët e tyre për të shkuar në festë. Foshnja gjashtëmuajshe rezultoi pozitive për kokainë.
Autoritetet spanjolle në Costa del Sol kanë arrestuar një çift britanik nën dyshimin se braktisën tre fëmijët e tyre të mitur në një hotel për të marrë pjesë në një festë. Ngjarja ka nxitur reagime të forta, sidomos pas raportimeve se foshnja gjashtëmuajshe e familjes rezultoi pozitive për kokainë gjatë analizave mjekësore.
Sipas informacioneve nga mediat britanike dhe spanjolle, policia arrestoi një burrë 41-vjeçar dhe një grua 28-vjeçe, duke i akuzuar për braktisje të fëmijëve. Tre të miturit, përkatësisht 6 muajsh, 2 dhe 4 vjeç, u gjetën të vetëm në një dhomë hoteli në Benalmadena, pranë Malagas.
Burimet sqarojnë se kushtet në dhomë ishin shqetësuese, ndërsa fëmija më i madh, katërvjeçari, po përpiqej të kujdesej për motrën dhe vëllain e tij më të vegjël.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve, fëmijët u dërguan në një spital pediatrik në Malaga për ekzaminime mjekësore. Shërbimet sociale të Andaluzisë morën përkohësisht kujdestarinë e tyre.
Një zëdhënës i policisë spanjolle konfirmoi arrestimet, por nuk bëri komente rreth raportimeve për rezultatin pozitiv të foshnjës për kokainë, duke theksuar se hetimet janë ende në vijim.
Nuk është bërë ende e ditur nëse prindërit u arrestuan pas kthimit në hotel apo u lokalizuan diku tjetër. Ata pritet të dalin para gjykatës në vijim, ku do të vendoset për lirimin e tyre me kusht apo paraburgimin deri në përfundim të hetimeve.
