Shqipëria e katërta në Europë për përdorim medies sociale

86% e kompanive në Shqipëri përdorin median sociale, duke u renditur e katërta në Europë.

Përdorimi i mediave sociale nga sipërmarrjet shqiptare ka shënuar një rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke u kthyer në një mjet kryesor për forcimin e imazhit të tyre dhe për reklamimin e produkteve.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, rreth 86.02% e sipërmarrjeve në Shqipëri përdornin median sociale. Kjo përqindje tejkalon ndjeshëm mesataren e Bashkimit Europian, e cila ishte 63.6%. Shqipëria pozicionohet e katërta në Europë, pas Maltës (88.2%), Finlandës (87.6%) dhe Danimarkës (86.05%).

Edhe në Maqedoninë e Veriut, përdorimi i rrjeteve sociale nga sipërmarrjet është në nivele të ngjashme me Shqipërinë (84.05%). Rajoni vijon me Malin e Zi (75.2%), Bosnjë e Hercegovinën (66.8%), dhe Serbia me përqindjen më të ulët (56.8%). Të dhënat për Kosovën mungojnë.

Eurostat thekson se ndërmarrjet po synojnë të forcojnë praninë e tyre online duke shfrytëzuar potencialin e rrjeteve sociale. Në vitin 2025, 63.57% e ndërmarrjeve në Bashkimin Europian përdornin të paktën një lloj rrjeti social, duke shënuar një rritje prej 21.08 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2016.

Variabiliteti në përdorimin e rrjeteve sociale mes vendeve europiane është i dukshëm. Malta (88.2%), Finlanda (87.59%) dhe Danimarka (86.05%) rezultuan me përqindjet më të larta. Nga ana tjetër, Bullgaria kishte më pak se 45% të ndërmarrjeve që përdornin rrjetet sociale (41.51%).

Analiza sipas madhësisë së ndërmarrjeve tregon se pothuajse 9 në 10 ndërmarrje të mëdha (89.09%) raportuan përdorimin e rrjeteve sociale, një nivel dukshëm më i lartë se ai i ndërmarrjeve të vogla (60.59%). Për ndërmarrjet e mesme, rreth 3 nga 4 raportuan përdorimin e të paktën një rrjeti social në vitin 2025. Krahasuar me vitin 2016, niveli i përdorimit të rrjeteve sociale është rritur në mënyrë të ngjashme në të gjitha kategoritë e ndërmarrjeve, pavarësisht madhësisë.

Sipas aktivitetit ekonomik, në vitin 2025, më shumë se tre të katërtat e ndërmarrjeve në sektorin e informacionit dhe komunikimit (83.15%) dhe në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor (78.25%) raportuan përdorimin e të paktën një rrjeti social. Në të kundërt, më pak se gjysma e ndërmarrjeve në transport dhe magazinim (44.6%) dhe në ndërtim (49.97%) përdornin rrjete sociale.

Scroll to Top