Abate trajner i ri i Torinos: Kontratë deri në 2028

ZYRTARE: Ish-lojtari me mbi 300 ndeshje për Milanin, Ignacio Abate, emërohet trajner i skuadrës ku luan Ardian Ismajli

Ignacio Abate është zyrtarisht trajneri i ri i Torinos. Klubi i Serisë A i ka besuar atij një kontratë që vlen deri në vitin 2028. Abate, i cili ka luajtur më shumë se 300 ndeshje me Milanin, do të marrë drejtimin e skuadrës ku aktivizohet edhe Ardian Ismajli.

NJOFTIMI I TORINOS:

  • “Klubi i Futbollit Torino ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga 1 korriku 2026, drejtimi i ekipit do t’i besohet trajnerit Ignacio Abate.”
  • “Trajneri ka nënshkruar një kontratë deri më 30 qershor 2028.”

Ignacio Abate, i lindur më 12 nëntor 1986 në Sant’Agata de’ Goti, është një ish-futbollist i njohur, i cili luante në pozicionin e mbrojtësit. Ai u formua në akademinë e Milanit dhe bëri debutimin e tij në futbollin profesionist me fanellën kuqezi më 3 dhjetor 2003, në moshën vetëm 17-vjeçare, në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Sampdorias.

Gjatë karrierës së tij si lojtar, Abate ka pasur eksperienca të rëndësishme me klube si Napoli, Piacenza, Modena dhe Empoli. Ai e njeh mirë ambientin e Torinos, pasi ka luajtur për këtë skuadër në sezonin 2008/09.

Më pas, ai u bë një figurë kryesore te Milani, ku zhvilloi 306 ndeshje zyrtare dhe shënoi 3 gola. Me “Rossonerët”, Abate fitoi një kampionat italian (Seria A) dhe dy Superkupa të Italisë.

Në nivel kombëtar, ai numëron 22 paraqitje dhe 1 gol me Italinë, duke arritur vendin e dytë në Europianin 2012 dhe medaljen e bronztë në Kupën e Konfederatave 2013.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Ignacio Abate nisi punën si trajner në vitin 2021, duke drejtuar sektorin e të rinjve te Milani. Më pas, ai mori drejtimin e ekipit Primavera të Milanit, duke arritur rezultate të shkëlqyera, përfshirë arritjen në gjysmëfinalen e UEFA Youth League në sezonin 2022/23 dhe në finale në sezonin pasues.

Në sezonin 2024/25, Abate bëri debutimin e tij si trajner i një ekipi të parë te Ternana. Në kampionatin e fundit, ai pati një sezon të suksesshëm me Juve Stabia në Serinë B, duke e çuar skuadrën në gjysmëfinalen e “play-off”-it për ngjitjen në Serinë A. Ndeshja e tyre u humb kundër Monzës, skuadër që më pas siguroi rikthimin në elitën e futbollit italian.

I gjithë klubi i Torinos mirëpret Ignazio Abaten dhe i uron suksese: “Mirë se u ktheve në Torino! Punë të mbarë dhe gjithmonë Forca Toro!”

Scroll to Top