SHBA eleminon “Niño Guerrero”, liderin e grupit kriminal “Tren de Aragua”! Trump: Nuk do të kenë më asnjë strehë të sigurt!
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara kanë vënë në shënjestër dhe eliminuar Héctor Rusthenford Guerrero Flores, i njohur si “Niño Guerrero”. Ky i fundit konsiderohet si drejtuesi i organizatës kriminale transnacionale Tren de Aragua.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump ka njoftuar se operacioni është realizuar nga Komanda Jugore e SHBA-së. Ai e ka cilësuar ndërhyrjen si “të shpejtë dhe vendimtare”, duke shtuar se ajo është kryer në bashkëpunim me autoritetet venezueliane. Presidenti nuk ka dhënë detaje specifike rreth vendndodhjes apo kohës së saktë të aksionit.
Mesazhi i presidentit është shoqëruar me një video që ilustron goditjen e një ndërtese nga një predhë dhe shpërthimin pasues.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjithashtu konfirmoi zhvillimin e operacionit më herët gjatë javës, duke u shprehur se: “Ky aksion tregon vendosmërinë e përbashkët të SHBA-së dhe Venezuelës për të luftuar organizatat kriminale dhe për të mos u lënë atyre asnjë vend të sigurt për t’u strehuar.”
Deri më tani, Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe Komanda Jugore nuk kanë publikuar informacione shtesë rreth këtij misioni.
Guerrero Flores ishte prej kohësh në kërkim nga autoritetet amerikane, të cilat kishin vendosur një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacione që do të çonin në arrestimin e tij. Ai ishte akuzuar nga drejtësia federale në SHBA për zhvatje, trafik droge dhe veprimtari të tjera të lidhura me krimin e organizuar.
Sipas hetimeve amerikane, “Niño Guerrero” drejtoi për më shumë se një dekadë Tren de Aragua. Kjo organizatë, e cila filloi aktivitetin brenda një burgu në Venezuelë, u shndërrua më pas në një rrjet kriminal ndërkombëtar me shtrirje në disa vende të Amerikës Latine dhe në Shtetet e Bashkuara. Grupi akuzohet për përfshirje në trafik droge, rrëmbime, zhvatje, trafikim njerëzish, kontrabandë emigrantësh, pastrim parash dhe aktivitete të tjera kriminale. Për shkak të veprimtarisë së tij, SHBA e ka klasifikuar Tren de Aragua si organizatë terroriste.
Në deklaratën e tij, Trump theksoi se administrata amerikane do të vazhdojë ndjekjen e anëtarëve të organizatës kudo që ndodhen, duke premtuar se lufta kundër karteleve dhe grupeve kriminale transnacionale do të mbetet një nga prioritetet kryesore të sigurisë.
