Qeveria synon të lidhë startup-et me kulturën nëpërmjet një Qendre të re Kombëtare Digjitale
Qeveria ka planifikuar ngritjen e një Qendre Kombëtare Digjitale Krijuese, një strukturë e re që ka si qëllim të bashkojë institucionet kulturore, universitetet dhe startup-et kreative në një ekosistem të përbashkët inovacionit. Sipas strategjisë së qeverisë, kjo qendër do të shërbejë si një platformë kombëtare për shkëmbimin e njohurive, ofrimin e trajnimeve profesionale dhe zhvillimin e teknologjive të reja në sektorin kulturor.
Dokumenti parashikon që qendra të lidhet me iniciativa evropiane të rëndësishme si Creative Europe, MediaInvest dhe EIT Culture & Creativity. Gjithashtu, ajo do të promovojë eksperimentimin me teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale (AI) dhe realiteti i zgjeruar (XR).
“Të zhvillohet një Qendër Kombëtare Digjitale Krijuese që lidh institucionet kulturore, startup-et krijuese dhe universitetet, duke shërbyer si një platformë për shkëmbimin e njohurive, inovacionin dhe trajnimin”, thuhet në dokument.
Kjo nismë vjen në një moment kyç, pasi qeveria po përpiqet të rrisë peshën ekonomike të industrive kulturore dhe krijuese. Aktualisht, sektori kontribuon rreth 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe punëson më shumë se 20,000 persona. Megjithatë, ai rezulton të jetë i fragmentuar, i përqendruar kryesisht në Tiranë dhe i varur nga financimet publike dhe donatorët.
Dokumenti thekson se industritë e medias, përmbajtjes digjitale, filmit, animacionit dhe lojërave elektronike kanë potencialin më të madh për rritje gjatë dekadës së ardhshme. “Deri në vitin 2030, industritë e përmbajtjes dhe medias në Shqipëri duhet të evoluojnë në një ekosistem krijues të hapur, inovativ dhe të ndërlidhur”, theksohet në strategji.
Synimi kryesor është që Shqipëria të bëhet pjesë e zinxhirit evropian të prodhimit të përmbajtjeve kulturore, duke përfshirë filmin, animacionin, muzikën, videolojërat dhe realitetin e zgjeruar. Ambicia afatgjatë është që vendi të pozicionohet si një qendër rajonale për eksportin e produkteve kreative me origjinë shqiptare.
Strategjia pranon sfidat ekzistuese, si mungesa e theksuar e kapaciteteve në këtë fushë. Ende nuk ekziston një shkollë e specializuar për animacion, media digjitale apo prodhim audiovizual, ndërsa shumë profesionistë të rinj largohen jashtë vendit për shkak të mundësive të kufizuara.
Gjatë konsultimeve me sektorin privat dhe komunitetin artistik, janë ngritur kërkesa për krijimin e një shkolle kombëtare animacioni të bazuar në folklorin shqiptar, rritjen e financimit për prodhimin audiovizual dhe vendosjen e stimujve fiskalë për startup-et kreative.
