Kryqi i Kuq ngre alarmin: Mijëra të varrosur nën rrënojat e Gazës mund të mos identifikohen kurrë
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka shprehur shqetësimin se mijëra palestinezë, të cilët dyshohet se ende gjenden të varrosur nën rrënojat në Rripin e Gazës, mund të mos identifikohen kurrë. Kjo situatë vjen ndërkohë që operacionet e kërkimit dhe nxjerrjes vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha.
Sipas një raporti të publikuar nga The Guardian, pavarësisht armëpushimit të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili hyri në fuqi në tetor, procesi i gjetjes dhe identifikimit të viktimave mbetet tepër i ngadaltë.
Kalimi i kohës rrit rrezikun që mbetjet njerëzore të degradohen në atë masë sa identifikimi i tyre të bëhet i pamundur. Një zëdhënës i Kryqit të Kuq në Kuds, Pat Griffiths, ka deklaruar: “Nuk ka dyshim se këto trupa së shpejti mund të bëhen të vështirë për t’u identifikuar.” Ai ka theksuar se çdo vonesë në nxjerrjen e mbetjeve njerëzore e bën procesin e identifikimit më të ndërlikuar, pasi trupat mund të arrijnë në faza të avancuara dekompozimi ose të mbeten vetëm skelete.
Ky fakt, sipas tij, vështirëson edhe punën e ekspertëve mjekoligjorë, të cilët humbasin prova të rëndësishme që mund të ndihmojnë në konfirmimin e identitetit të viktimave.
Palestinezët kanë nisur kërkimet në rreth 61 milionë tonë rrënoja të krijuara gjatë luftës. Zyrtarët shëndetësorë në Gaza vlerësojnë se të paktën 10,000 persona ndodhen ende nën gërmadha, ndërsa disa ekspertë besojnë se numri real mund të arrijë deri në 14,000.
Raporti thekson se ekipet e shpëtimit po punojnë kryesisht me mjete bazike si lopata, kazma dhe mjete të tjera dore, ndërsa kërkesat për lejimin e ekskavatorëve dhe makinerive të rënda nuk janë miratuar.
Kryqi i Kuq paralajmëron se vonesat e mëtejshme mund të dëmtojnë seriozisht përpjekjet për identifikimin e viktimave, pasi kushtet mjedisore, zhvendosja e mbetjeve dhe humbja e sendeve personale mund të zhdukin prova të vlefshme mjekoligjore.
