Falja e detyrimeve tatimore: Pyetjet kryesore nga bizneset

Tatimet sqarojnë pyetjet kryesore të bizneseve për ligjin e faljes

Drejtoria e Tatimeve ka publikuar një informacion me pyetjet më të shpeshta nga bizneset lidhur me ligjin e faljes, i cili është në proces zbatimi. Ky informacion sqaron se si dhe kur kryhet pagesa për të përfituar uljen e 50% ose 25% të principalit, si dhe faljen e gjobave dhe kamatëvonesave.

Përfitim me kusht për detyrimet tatimore të papaguara nga periudha 2015-2019:

  • Për të përfituar nga shuarja e 50% të detyrimit tatimor të papaguar, duhet të paguani në një këst të vetëm, nga data 10 qershor 2026 deri më 30 qershor 2026, pjesën e mbetur prej 50% të detyrimit principal të papaguar për çdo tatim përkatës.
  • Për të përfituar nga shuarja e 25% të principalit të papaguar, duhet të paguani nga data 10 qershor 2026 deri më 31 dhjetor 2026 vlerën e 75% të detyrimit principal të papaguar për çdo tatim përkatës.
  • Në të dyja rastet e sipërme, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

Shënim i rëndësishëm: Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi principal.

Përjashtimet: Nuk përfitojnë tatimpaguesit që janë të dënuar me vendim të formës së prerë ose janë në hetim apo proces gjyqësor për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, para ose gjatë zbatimit të ligjit.

Pyetje dhe Përgjigje:

  • Kam gjoba dhe interesa për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, por kam paguar detyrimin principal. A përfitoj nga ligji?
    Po, kur detyrimi tatimor (principi) rezulton 0 lekë, falen gjobat dhe kamatëvonesat që i përkasin periudhës deri më 31 dhjetor 2024, për çdo lloj tatimi, përfshirë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
  • A falet detyrimi principal për periudhat 2020-2024?
    Për periudhat 2020-2024 nuk falet detyrimi principal, por falen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që tatimi për periudhën përkatëse të paguhet i plotë (100% e principalit) nga data 10 qershor 2026 deri më 31 dhjetor 2026.
  • Kam një masë bllokimi të llogarive bankare për shkak të mospagesës në kohë të detyrimeve tatimore. Pas kryerjes së procedurave të kompensimit dhe/ose pagesave me kusht, nëse rezultoj pa detyrime, a duhet të bëj kërkesë për zhbllokim të llogarive bankare apo bankat do të njoftohen nga vetë Administrata Tatimore?
    Administrata Tatimore do të identifikojë periodikisht tatimpaguesit që rezultojnë pa detyrime tatimore dhe do të procedojë me heqjen e masave shtrënguese, përfshirë zhbllokimin e llogarive bankare. Megjithatë, me qëllim përshpejtimin e procedurës administrative, tatimpaguesi mund të paraqesë një kërkesë për heqjen e masave shtrënguese përmes sistemit e-Filing, pasi të ketë verifikuar se nuk rezulton me detyrime tatimore të papaguara. Paraqitja e kërkesës mundëson shqyrtimin në kohë të situatës tatimore dhe ndërmarrjen e veprimeve përkatëse për heqjen e masave të vendosura.
  • Kam një vendim gjyqësor të formës së prerë, i cili është në favor të Administratës Tatimore dhe unë, si tatimpagues, kam ushtruar të drejtën e rekursit. Si kryhet procedura e heqjes dorë nga rekursi? Cilat janë veprimet që duhet të kryej për t’u tërhequr?
    Referuar ligjit, nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve tatimore tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore, sipas legjislacionit në fuqi.
Scroll to Top