Pas dy vitesh luftë, mijëra palestinezë të zhvendosur janë nisur drejt Rripit të Gazës me shpresën për t’u kthyer në shtëpi, pasi hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.
Fillimisht me kujdes, pastaj në një kolonë të madhe, njerëzit kanë ecur drejt veriut, nga zonat më të sigurta në qendër të qytetit të Gazës, zonë e cila kishte qenë në qendër të një ofensive të ashpër izraelite. Kolona ka qenë të paktën një kilometër e gjatë.
Sipas burimeve, njerëzit brohorisnin “Zoti është i madh”, festonin dhe fishkëllenin nga gëzimi, duke ecur në një rrugë buzë detit që ishte hapur së fundmi.
Ushtria izraelite ka njoftuar se trupat e saj janë tërhequr në vijat e dakorduara të vendosjes në Gazë dhe armëpushimi ka hyrë në fuqi.