Zjarri në një park kombëtar në Gjermani, përfshihen rreth 400 ha tokë
Një zjarr i madh pyjor ka shpërthyer në Parkun Kombëtar Muritz, në verilindje të Gjermanisë, duke përfshirë rreth 400 hektarë tokë. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar rreth 370 zjarrfikës, efektivë policie, punonjës të pyjeve dhe ushtarë.
Sipas autoriteteve lokale, mungesa e reshjeve dhe erërat perëndimore kanë favorizuar përhapjen e zjarrit. Parashikohet që zjarri të lëvizë drejt lindjes dhe juglindjes gjatë fundjavës.
Zjarri u raportua për herë të parë të hënën dhe ka detyruar evakuimin e disa fshatrave në më shumë se një rast. Operacionet për shuarjen e zjarrit janë vështirësuar nga fakti se një pjesë e zonës së prekur ka qenë dikur poligon ushtarak dhe ende përmban mjete shpërthyese të pashpërthyera.
Helikopterët e ushtrisë pritet të vazhdojnë të mbështesin operacionet nga ajri deri pasdite, nëse kushtet e motit e lejojnë dhe nuk zhvillohen stuhi. Zjarrfikësit po përqendrojnë përpjekjet në pjesën lindore të zonës së zjarrit, e cila konsiderohet e sigurt nga prania e mjeteve shpërthyese. Ndërkohë, punonjësit e pyjeve po mbajnë të hapura rrugët e aksesit për ekipet e emergjencës.
