Rrezik kimik në Hagë: Laboratori i drogës çmontohet, banorët evakuohen

Rrezik kimik në Hagë! Policia çmonton laboratorin e “ekstazisë”, qindra banorë largohen

Dhjetëra banorë në Hagë u detyruan të evakuonin sërish banesat e tyre të shtunën, ndërsa autoritetet vazhduan operacionin për çmontimin e një laboratori të paligjshëm të drogave sintetike, i zbuluar një ditë më parë. Ky është evakuimi i dytë i zonës brenda 24 orëve.

Policia holandeze arrestoi katër burra, të moshës nga 34 deri në 71 vjeç, të cilët dyshohet se janë përfshirë në aktivitetin e laboratorit, që, sipas mediave vendase, shërbente për prodhimin e MDMA-së dhe tabletave të njohura si “ekstazi”.

Sipas mediave holandeze, rreth 150 banorë u evakuuan fillimisht të premten, për të mundësuar largimin e rezervuarëve që përmbanin 500 deri në 750 litra substanca potencialisht të rrezikshme, të vendosura jashtë laboratorit nga ekipet e specializuara të policisë. Pasi u lejuan të ktheheshin në shtëpitë e tyre gjatë natës, banorëve iu kërkua të largoheshin sërish të shtunën për të përfunduar çmontimin e objektit.

“Nuk është e zakonshme të zbulohen objekte të tilla në zona të banuara”, deklaroi një zëdhënëse e policisë për AFP. Bashkia e Hagës paralajmëroi se gjatë procesit të largimit dhe asgjësimit të lëndëve të para dhe substancave të prodhuara, ekziston rreziku i rrjedhjes së materialeve të rrezikshme në mjedis.

Autoritetet kanë vënë në dispozicion një linjë telefonike informuese për banorët dhe presin që ata të mund të kthehen në banesat e tyre rreth mesnatës, pasi operacioni të përfundojë në mënyrë të sigurt.

Scroll to Top