Bordi i Transparencës ka vendosur ndryshime në çmimet e karburanteve në vend.
Sipas një njoftimi zyrtar, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën standarde SSH EN 590 do të jetë 180 lekë/litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të jetë 168 lekë/litër.
Përsa i përket benzinës standarde SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë 168 lekë/litër, dhe çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të jetë 156 lekë/litër.
Këto çmime do të hyjnë në fuqi sot, datë 16, në orën 14:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të shqyrtohen përsëri ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërhiqet vëmendja e të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin për të zbatuar këtë vendim. Në rast shkeljesh, do të aplikohet pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe të ruajnë parimet e konkurrencës së ndershme në treg.